Lidhje

Nxjerrja e gurëve të çmuar në Meksikë


Mexico, opal
Mexico, opal

Të mbuluara me dheun e pasur vullkanik në Meksikë, janë depozitat më të mëdha në botë të opalit, një gur i çmuar natyror.

Për dekada me radhë, minatorë dhe familje të shumta kanë gërmuar në mbarë vendin në kërkim të këtyre gurëve të çmuar.

Opalët meksikanë janë konsideruar si gurë të çmuar që nga banorët autokonë të rajonit në kohët para-hispanike. Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit kërkesat për këta gurë të çmuar janë shtuar në tregun ndërkombëtar të bizhuterive.

Toka rreth Magdalenas, një qytet në shtetin perëndimor të Haliskos, është një nga rajonet meksikane ku janë gjetur depozita të konsiderueshme gurësh të çmuar, përfshirë opalin e zjarrtë.

Ekspertë të industrisë besojnë se guri i çmuar ngjyrë portokalli apo të kuqe është një nga opalët më të rrallë dhe më të shtrenjë në botë, dhe kërkohet nga shumë njerëz.

Sipas Luciano Tamayos, opali meksikan mund të jetë me vlerë nga rreth 6 dollarë deri në më shumë 186 dollarë për një karat.

Ndërsa në Meksikë, ku ari dhe diamantet janë më popullore, ka pak kërkesa për opal, në tregje të tjera si në Japoni, Kinë, Rusi dhe në Evropë kërkesat për të janë shumë më të mëdha.

"Opali meksikan është në vendin e dytë në tregun global. Opali nga Australia është i pari dhe thuhet se opal i zi nga ky vend është një nga më të rrallët dhe më të vlerësuarit. Në Meksikë, ne kemi opal të kuq, i cili është gjithashtu një nga opalët më të rrallë dhe më unik në botë. Vendet e tjera nuk e kanë këtë lloj opali. Prandaj, ka shumë kërkesa për opal meksikan në tregun botëror".

Miniera e parë në Magdalena u hap gjatë viteve 1950, më shumë se një shekull pasi industria e nxjerrjes së opalit në Meksikë filloi në Kueretaro, një shtet i vogël në qendër të vendit.

Në këtë qytet tani operojnë deri në 60 miniera.

Minierat janë prona të qeverisë dhe ato u jepen me koncesion kompanive të vogla të minierave, familjeve ose individëve.

Luciano Tamayo dhe familja e tij janë marrë me nxjerrjen e opalit në Magdalena për mbi 40 vjet, uzina dhe dyqani i tyre i vogël ndodhen përballë sheshit të qytetit.

Opali formohet nga përzierja e ujit me dioksidin e silikonit në periudha të gjata kohore.

Ky gur i çmuar është shumë i brishtë dhe duhet të trajtohet me kujdes për t’u ruajtur nga gërvishtjet apo thyerjet që mund ta shkatërrojnë atë.

Vlera e një opali varet nga shumë faktorë, duke përfshirë madhësinë, formën, dhe atë që ekspertët e quajnë “lojë të ngjyrave” brenda çdo guri, një efekt që shkaktohet nga sferat e grimcave të dioksidit të silikonit që thyejnë dritën.

Për këtë arsye çmimet për opalët janë të ndryshme.

Familja Jimenez është marrë me nxjerrjen gurëve të çmuar për shumë dekada. Gjatë viteve ata kanë gjetur opal me vlerë 6212 dollarë.

Ata e pranojnë se sekreti i gjetjes së tyre më shumë ka të bëjë me fatin se sa me ndonjë gjë tjetër.

"Fati dhe besimi më shumë se çdo gjë tjetër. Ne kemi ardhur këtu me besimin se do të gjejmë diçka. Jo shpesh, por ne i lutemi Perëndisë që të na japë atë që ai mendon se është e mirë për ne Pra, ne kemi besimin që na ndihmon të ecim përpara", thotë Vanessa Magana, duke qëndruar pranë bashkëshortit të saj Miguel Angel Jimenez.

Opali gjendet në afërsi të sipërfaqes së tokës në zonat ku dikur ka patur vullkane. Për nxjerrjen e tij përdoren mjete dhe makina të vogla. Por shpesh minatorët i nxjerrin ato me duar pasi ato shpesh gjenden në thellësi të vogël.

Në të kaluarën, minatorët merrnin vetëm opalët e cilësisë më të mirë dhe i hidhinin ato me cilësi jo të mirë. Por tani, blerësit duan të gjitha llojet dhe cilësitë.

Puna në minierat e opalit është e vështirë dhe shpesh familjet kalojnë gjithë ditën duke punuara, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ata nxjerrin dhjetëra kova me dhe e gurë të cilat i pastrojnë në një pellg aty pranë.

Rreth 95 përqind e opalit në botë vjen nga Australia.

Deri kohët e fundit, Meksika është konsideruar të jetë furnizuesi i dytë më i madh i gurëve të çmuar, por sipas ekspertëve ajo tani është tejkaluar nga Etiopia.

Pavarësisht nga kjo, opali ka qenë një bekim për Magdalenan dhe banorët e saj, shumica e të cilëve fitojnë të ardhura nga industria e nxjerrjes dhe përpunimit të këtij guri të çmuar.

"Shkrimet e shenjta thonë se ai ishte një gur i fatit të keq, por nuk ka qenë kështu për Magdalenan. Pas gjetjes së opalit në Magdalena, qyteti është rritur. Magdalena ishte një qytet shumë i vogël dhe që nga zbulimi i opalit popullsia e tij u rrit katër apo pesë herë. Edhe ekonomia e tij përfitoi nga gjetja e opalit", thotë historiani lokal, Jose Rafael Ascencio Cesena.

XS
SM
MD
LG