Lidhje

Merkel do të konkurrojë për mandat të katërt


Angela Merkel ka pohuar se do të konkurrojë për një mandat të katërt si Kancelare e Gjermanisë.

Zonja Merkel zhvilloi sot një mbledhje me kryesinë e partisë së saj të qendrës së djathtë. Pas mbledhjes ajo tha për gazetarët "E kam menduar këtë skenar për një kohë të gjatë dhe jam e gatshme të konkurroj përsëri për këtë post".

Nëse zonja Merkel fiton në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe shërben për një mandat të plotë katër vjeçar, ajo do të barazojë qeverisjen e kancelarit Helmut Kohl, i cili qëndroi në post për një periudhë rekord prej 16 vjetësh.

62-vjeçarja Merkel është parë gjerësisht si një forcë stabiliteti në Evropë në një kohë kur Bashkimi Evropian mori një goditje të fortë nga Brexiti dhe nga forcimi i rrymave të ekstremit të djathtë që kanë marrë edhe më shumë zemër nga fitorja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Merkel ka qenë Kancelare e Gjermanisë që në 2005. Ajo ka udhëhequr ekonominë më të madhe të Eurozonës gjatë krizës së borxheve, duke fituar respekt të gjerë ndërkombëtar. Presidenti Obama e cilësoi Angela Merkelin një “aleate të shkëlqyer” gjatë vizitës së fundit në Gjermani. Por ajo është përballur edhe me sfida të vështira, sidomos për politikat ndaj krizës së refugjatëve. Në shtator ajo tha se duhet ta kishte trajtuar ndryshe këtë krizë, pasi partia e saj pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e Landit të Berlinit.

XS
SM
MD
LG