Lidhje

Angela Merkel rikonfirmon angazhimin për forcimin e lidhjeve transatlantike


Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet e angazhuar për marrëdhënie të forta transatlantike, njoftoi zëdhënësi i saj të hënën. Komenti vjen pas deklaratës së udhëheqëses gjermane se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm.

"Për shkak se marrëdhëniet transatlantike janë të rëndësishme për kancelaren Merkel, është e drejtë që ajo të flasë sinqerisht mbi dallimet, nisur nga këndvështrimi i saj", tha të hënën gjatë një konference shtypi zëdhënësi Steffen Seibert.

Gjatë një tubimi në Bavari tzonja Merkel deklaroi se: "kohët kur ne mund t’i besojmë plotësisht të tjerëve, kanë përfundur disi, nikur nga eksperienca e ditëve të fundit".

Angela Merkel, sikurse disa udhëheqës ndërkombëtarë, kritikoi ashpër vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump në takimin më të fundit të Grupit të Shtatshes që u mbajt në Sicili, për të mos mbështetur marrëveshjen e Parisit të 2015 lidhur me ndryshimet klimatike.

Në një komunikatë përfundimtare të përmbledhur, vendet e G-7-ës përveç Amerikës, u zotuan për të zbutur ndryshimet klimatike. Zonja Merkel tha se marrëveshja për klimën është shumë e rëndësishme dhe se nuk mund të ketë kompromise lidhur me të.

Duke pranuar se megjithatë Gjermania dhe Evropa do të përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, kur kjo e fundit po largohet nga Bashkimi Europian, zonja Merkel tha gjithashtu se "duhet të dimë që duhet të luftojmë për të ardhmen tonë si evropianë, për fatin tonë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG