Lidhje

Merkel: Partia nacionaliste, pa ndikim në politikën e jashtme


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se partia nacionaliste që hyri në parlament nga zgjedhjet e djeshme nuk do të ketë ndonjë ndikim në politikën e jashtme, në atë evropiane dhe në çështjet e refugjatëve.

Alternativa për Gjermaninë (AFD) zuri vendin e tretë në zgjedhje pas një fushate që u përqëndrua te kritikat e ashpra ndaj zonjës Merkel dhe ndaj vendimeve të saj për praninimin e një numri të madh refugjatësh. Partitë e tjera refuzuan të bashkëpunonin me AFD-në.

E pyetur nëse rezultati i AFD-së do të ndikojë në politikën gjermane, Merkel u përgjigj: “mendoj se jo”. Ajo shtoi: “Partitë që janë në gjendje të formojnë koalicion me njëra tjetrën do të kërkojnë zgjidhje, por AFD nuk do të ketë ndikim.”

Kancelarja Merkel tha se Gjermania ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe partitë e tjera kanë përgjegjësi për këtë.

Konservatorët e zonjës Merkel siguruan shumicën më të madhe të vendeve në parlament në zgjedhjet e djeshme, por më pak vende se sa kishin më parë. Partnerët e tyre të koalicionit gjatë 4 vjetëve të kaluara, social demokratët e qendrës së majtë, të cilët humbën në zgjedhjet e djeshmë thanë se do të kalojnë në opozitë.

Kjo i hap rrugën zonjës Merkel për krijimin e një aleance me Partinë Demokratike pro biznesit të lirë dhe partinë e Gjelbër tradicionalisht me prirje të majta.

Zonja Merkel tha sot se partia e saj do të kërkojë të dialogojë me këto parti. Ajo tha: “Rëndësi ka që Gjermania të ketë një qeveri të mirë dhe të qëndrueshme.”

NJË MANDAT I KATËRT PËR ZONJËN MERKEL

Angela Merkel arriti fitore në zgjedhjet e së dielës për një mandat të katërt në zgjedhjet federale, një arritje historike. Por partia e saj Kristian Demokrate mundi të sigurojë një numër më të vogël votash nga sa parashikohej.

Ndërkohë, partia populiste e ekstremit të djathtë arriti të fitojë një numër më të madh votash nga sa parashikuan të gjitha anketat.

Sipas anketave paszgjedhore të publikuara menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimeve në orën 6 pasdite sipas orës lokale, Partia Krisitian Demokrate e zonjës Merkel dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Social Demokrat, siguruan 33,5 për qind të votave.

Zonja Merkel bëhet kështu një prej tre kancelarëve gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore që zgjidhet për një mandat të katërt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG