Lidhje

Reagimi amerikan ndaj lëvizjes #MeToo në Rusi


Një ligjvënës rus i akuzuar për ngacmime seksuale po tërheq vëmendjen e medias në të gjithë botën duke bërë krahasime me lëvizjen #MeToo të Amerikës. Në Moskë, një komision parlamentar i etikës i cili hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura për ligjvënësin rus, ka nxitur mbështetje më të madhe për akuzat e grave - duke rritur shpresat në Rusi dhe përtej Atlantikut se ka ardhur koha për ndryshim.

"Ai më çoi në zyrën e tij, mbylli derën dhe më shtyu në mur."

"A do të mohosh përsëri gjithçka?"

Këto janë vetëm dy nga të paktën tre gra që kanë akuzuar ligjvënësin rus Leonid Slutsky për ngacmime seksuale. Por vendimi i një komisioni të etikës për të shfajësuar Slutsky-n duket se ka shkaktuar efektin e kundërt. Mbështetja për gratë po fiton vrull dhe më shumë se 30 media ruse kanë tërhequr gazetarët nga Duma, duke thënë se nuk do ta mbulojnë më Parlamentin.

Përtej Atlantikut, anëtarët e Klubit Kombëtar Demokrat të Grave thonë, se ashtu si në Shtetet e Bashkuara, në Rusi ka ardhur koha për ndryshim.

"Anita Hill tregoi historinë e saj në vitin 1991 dhe u kritikua për ngritjen e çështjes. Mendoj se ajo që ndodhi këtu është se kishte kaq shumë ikona në media, kaq shumë gra që dolën përpara me tregimet e tyre, të cilët ishin në Hollywood, yje në emisionet televizive kombëtare – mendoj se kjo ishte pika e kthesës për ta trajtuar këtë çështje. Kështu që do t'u thosha grave ruse - mos kini frikë".

Në Uashington, ligjvënësja e Kalifornisë në Kongres, Jackie Speier, thotë se anëtarët e Kongresit tani duhet të marrin trajnime të detyrueshme për ngacmimet seksuale. Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara gjithashtu miratoi kohët e fundit një projekt-ligj që do ta bëjë më të lehtë për viktimat e ngacmimeve seksuale për t'u mbrojtur.

"Pra, çfarë bën ky ligj? Së pari - i jep viktimës mbrojtje ligjore në fillim, gjë që përbën një ndryshim të madh. Kjo mbrojtje do të paguhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nëse arrihet një marrëveshje, ajo paguhet nga Departamenti i Thesarit për t'u siguruar që ato do të kompensohen siç duhet dhe pastaj do të paguhen nga keqbërësi ", thotë ligjvënësja Speier.

Kjo do të thotë që ligjvënësit që shpallen fajtorë për veprime të gabuara, tani do të duhet të paguajnë kompensimin e viktimave nga xhepat e tyre dhe jo nga taksapaguesit - të cilët kanë paguar rreth 150,000 dollarë si kompensime në vetëm katër vitet e fundit.

"Ajo që ka ndryshuar tani është fuqia e grave që ndajnë historitë e tyre - Interneti e lejon këtë forcë të shumëfishohet, gjë që me të vërtetë i bën njerëzit të kuptojnë se ky nuk është vetëm një problem individual me të cilin po përballen. Kjo është diçka më e madhe se ata vetë dhe se do të kenë mbështetjen e shumë grave. Kjo ka sjellë një ndryshim duke inkurajuar shumë njerëz që të dalin përpara dhe të ndajnë historinë e tyre ", thotë Emily Martin, avokate me Qendrën Kombëtare të Grave.

Është e vështirë të dihet nëse ngjarjet e fundit në Moskë do të shënojnë fillimin e ekuivalentit rus të lëvizjes #MeToo të Amerikës. Por grupet pro-grave thonë se megjithë heqjen e akuzave kundër Slutsky-t nga komisioni rus i etikës - thirrjet për dorëheqjen e tij po bëhen edhe më të zëshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG