Lidhje

Një mandat i dytë i luftës kundër mbipeshës për Zonjën e Parë


Presidenti Barack Obama bën betimin për mandatin e dytë, me gruan e tij Michelle përkrah. Por Zonja e Parë ka qenë një figurë me meritat e veta, duke u marrë me një kërcënim të madh për shëndetin publik. Obeziteti po përhapet në shkallë globale, duke rritur përqindjen e rasteve me sëmundje zemre, kancer dhe diabet dhe në Shtetet e Bashkuara ritmi i kësaj rritjeje ka qenë më i madh se kudo. Mbrojtësit e shëndetit publik thonë se fushata e zonjës Obama kundër mbipeshës së tepërt ka rritur vëmendjen për këtë çështje.

Një nga veprimet e para zyrtare të Zonjës së Parë Michelle Obama, para katër vjetësh ishte mbjellja e një kopshti me fruta dhe perime në Shtëpinë e Bardhë me ndihmën e fëmijëve të shkollave.

Perimet e freskëta ishin të mira, por ajo donte që përmes tyre të përçonte një ide më të madhe.

“Shumë fëmijë hanë ushqime me shumë kalori dhe vlera të pakta ushqyese dhe nuk po bëjnë ushtrime të mjaftueshme fizike. Ata nuk po hanë siç duhet dhe nuk janë aktivë”.

Dhe kjo është arsyeja që një ndër tre fëmijë amerikanë është mbipeshë ose obez. Kështu Zonja e Parë filloi një nismë të quajtur “Të lëvizim”, objektivi i së cilës është që brenda një brezi t’i jepet fund obezitetit mes fëmijëve.

“Ky është detyrimi ynë. Jo vetëm si prindër që duam fëmijët tanë, por edhe si qytetarë që duam këtë vend. Prandaj le të lëvizim”.

Ushqimi që shitet në shkolla ka qenë në qendër të vëmendjes për zonjën Obama. Në janar të vitit të kaluar, ajo u prit me brohoritje në shkollën fillore Parklawn pranë Uashingtonit, në një vizitë ku bëri të njohur standardet e reja për ushqimin e mensës.

“Kur çojmë fëmijët në shkollë ne kemi të drejtën të mendojmë që ata nuk do të hanë ushqime me yndyrë, ngarkuar me kripë, me sheqer, që nuk ua lejojmë t’i hanë në shtëpi”.

Për të marrë fonde qeveritare, shkollat duhet të shërbejnë ushqime që janë më të shëndetshme sesa ç’kërkohej me standardet e vjetra, thotë aktivistja e shëndetit publik Margo Wootan me Qendrën për Shkencë dhe Interes Publik.

“Këto standarde parashikojnë dyfishin e sasisë së frutave dhe perimeve, kufizim e kripës, drithëra të papërpunuara dhe qumësht me pak yndyrë në përbërje. Ky është një ndryshim i madh”.

Por kjo nuk mjafton për të garantuar fëmijë më të shëndetshëm, thotë dietologu David Just, i Universitetit Cornell.

“Vënia në dispozicion e ushqimeve të shëndetshme është gjysma e punës. Por pjesa tjetër është t’i bindim që ta hanë këtë ushqim dhe jo ta marrin dhe në vend që ta hanë, ta hedhin”.

Nuk është edhe aq e lehtë me fëmijët. Përveç kësaj, ushqimet e shëndetshme janë më të shtrenjta. Dhe ky është problem, thotë shefja e shërbimeve ushqimore në Parklawn, Penny McConnell.

“Kostoja është rritur. Por mbulimi i shpenzimeve për ushqimet nuk është shtuar”.

Zonja McConnell thotë se gjashtë cent më shumë që ajo merr për çdo fëmijë nga qeveria federale nuk e mbulon koston e frutave dhe perimeve që i duhet të blejë.

Por zonja McConnell nuk ka ndër mend që të heqë dorë nga ushqimet e shëndetshme në shkollën Parklawn, sepse efekti është më i madh sesa thjesht orari i shkollës.

“Nëse i mësojmë fëmijët që në shkollë fillore me këtë mënyrë të ushqyeri, mendoj se atyre do t’u bëhet e zakonshme kjo mënyrë dhe do të vazhdojnë kështu deri në adoleshencë dhe moshë të rritur”.

Është një objektiv që Michelle Obama do ta ndjekë në mandatin e dytë: të vazhdojë përpjekjet që filloi gjatë katër viteve të para.
XS
SM
MD
LG