Lidhje

Lindja e Mesme dhe Lidhja Arabe


Një delegacion i lartë i Lidhjes Arabe, gjatë një vizite në Uashington, ka shprehur mbështetje për mundësinë që Izraeli dhe palestinezët të negociojnë kufijtë e tyre të ardhshëm me anë të shkëmbimit të territoreve. Ky qëndrim duket të pasqyrojë një ndryshim të nismës dhjetë vjeçare të Lidhjes Arabe për paqe me Izraelin, e cila i ka bërë thirrje Izraelit të tërhiqet nga të gjitha tokat e zëna gjatë Luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme.

Pas takimit të djeshëm me kryeministrin e Katarit në Shtëpinë Blair Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu mbështetje për një iniciativë paqeje të Lidhjes Arabe të vitit 2002:

"SHBA-ja dhe Delegacioni i Lidhjes Arabe këtu ranë dakord se paqja ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve do të përforconte sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme dhe se është në interesin e përbashkët të rajonit dhe të gjithë botës."

Në anën tjetër, Kryeministri i Katarit, Sheik Hamad bin Jassim Al Thani, tha se delegacioni i tij mbështet shkëmbime "të vogla" dhe "të krahasueshme" territoresh me marrëveshje të ndërsjellë midis të dyja palëve në konflikt.

"Delegacioni i Lidhjes Arabe mendon se marrëveshja duhet të bazohet në zgjidhjen me dy shtete, mbi bazën e vijës kufitare të 4 qershorit 1967, dhe me mundësinë e shkëmbimeve të vogla dhe të krahasueshme territoresh mbi të cilat palët do të jenë dakord.''

Komenti i kryeministrit të Katarit duket të pasqyrojë një ndryshim të nismës dhjetë vjeçare të Lidhjes Arabe për paqe me Izraelin. Kjo nismë i ka bërë thirrje Izraelit të tërhiqet nga të gjitha tokat e zëna gjatë Luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme dhe të kthehet në kufijtë e tij të mëparshëm në shkëmbim të një paqeje të plotë me të gjithë shtetet anëtare të Lidhjes Arabe.

Ky qëndrim duket gjithashtu të pasqyrojë mbështetjen e Presidentit Barak Obama për udhëzimet për paqe të vitit 2011, që u bëjnë thirrje Izraelit dhe palestinezëve të negociojnë kufijtë e tyre mbi bazën e linjave të vitit 1967 me anë të "shkëmbimeve të territoreve për të cilat të jetë rënë dakord në mënyrë reciproke".

XS
SM
MD
LG