Lidhje

Mosmarrëveshje në BE për krizën e imigrantëve


Katër vende të Bashkimit Evropian hodhën poshtë një plan të BE-së për të shpërndarë 160 mijë emigrantë mes vendeve të bllokut. Ministrat e Jashtëm të Hungarisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovakisë thanë sot se duan mbështetjen e Evropës për të përballuar krizën e imigrantëve, por përsëritën kundërshtimin për çdo plan të BE-së për kuota të detyrueshme për vendet anëtare, megjithë këmbënguljen e Gjermanisë që të bien dakord për një ndarje të drejtë të valës së refugjatëve.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje vendeve të Evropës Qendrore sot që të bien dakord për një shpërndarje të drejtë të valës në rritje të imigrantëve që po vijnë në brigjet e Evropës, duke thënë se një vend i vetëm nuk mund ta zgjidhë krizën:

“Kjo është ndoshta sfida më e madhe me të cilën përballet Bashkimi Evropian në historinë e tij. Nëse e pranojmë këtë, atëherë duhet të biem dakord edhe që një sfidë e tillë nuk mund të zgjidhet nga një vend i vetëm, por duhet të kemi një solidaritet evropian”, - tha zoti Steinmeier në Pragë në një konferencë për shtyp me homologët e tij nga vendet e Evropës Qendrore që kundërshtojnë me force imponimin e kuotave për të përballuar fluksin.

Shumica e imigrantëve duan të shkojnë në Gjermani dhe zoti Steinmeier tha se rreth 40 mijë refugjatë pritet të shkojnë në Evropë gjatë fundjavës.

Ministrat e Jashtëm të Hungarisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovakisë thane se ranë dakord për disa pika për të përballuar krizën, përfshirë streha të sigurta, mbrojtje të kufijve të jashtëm dhe nevojën për një listë vendesh të sigurta për të kthyer emigrantët.

Mijëra emigrantë, kryesisht nga vende si Siria dhe Afganistani të shkatërruara nga lufta, kanë mbërritur në Evropë muajt e fundit dhe autoritetet po hasin vështirësi për t’i përballuar.

Një plan i Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker parashikon që numri i refugjatëve që duhet të pranohet të katërfishohet në 160 mijë dhe që të detyrojë vendet të marrin një numër të caktuar emigrantësh, pasi ato refuzuan ta bëjnë një gjë të tillë vullnetarisht. Ministri i jashtëm çek Lubomir Zaoralek përsëriti kundërshtimin për kuotat pas takimin dhe tha se vendet duhet të jenë në gjendje të kenë kontroll për të përcaktuar se kë të pranojnë:

“Ne jemi të bindur dhe flas për Republikën Çeke dhe mendoj se edhe partnerët e tjerë mendojnë njëlloj se duhet të kemi kontroll mbi mënyrën si marrim vendim për njerëzit që vijnë dhe sesa mundësi kemi t’i presim dhe t’u ofrojmë mbështetje në vendet tona”.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se 180 mijë emigrantë, shumica refugjatë nga konfliktet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në HUngari dhe se kjo shifër mund të arrijnë në 400 mijë deri në 500 mijë në fund të vitit.

Ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajcak tha se ishte leigjitime që të shtroheshin pyetje për sistemin e kuotave pasi shumë nga emigrantët thjesht duan ta përdorin Sllovakinë dhe fqinjët e saj si pika tranziti drejt vendeve më të pasura të Evropës Perëndimore.

Hungaria është kthyer në pikën kryesore nga ku hyjnë refugjatët që duan të shkojnë në Bashkimin Evropian me shpresën për të kaluar në vende më të pasura si Gjermania. Qeveria e djathtë hungareze është një nga ato që e kanë kundërshtuar më me force emigracionin në masë.

Kundërshtimi i vendeve të Evropës Qendrore e ka izoluar rajonin dhe mund të hidhet poshtë me votat e tjera të vendeve të BE-së sipas planit të Junckerit.

MInistrat e Brendshëm të BE-së takohen për këtë çështje të hënën.

XS
SM
MD
LG