Lidhje

Mijëra veteranë të ushtrisë amerikane të pastrehë në Nju Jork


Mijëra veteranë të ushtrisë amerikane të pastrehë në Nju Jork
Mijëra veteranë të ushtrisë amerikane të pastrehë në Nju Jork

Disa organizata publike dhe private po punojnë së bashku për të ndihmuar veteranët e ushtrisë amerikane që ndodhen të pastrehë në New York.

Zyrtarët e qytetit të New Yorkut thonë se ka rreth 2 mijë veteranë të ushtrisë që janë endacakë. Ndërkohë që disa veteranë thonë se numri mund të jetë shumë më i madh.

Misioni Nju Jorkez i Shpëtimit ofron ndihmë afat shkurtër. I financuar kryesisht nga donacionet publike, 100 krevatet e këtij objekti mbushen çdo natë. Shumica e bujtësve janë të vjetër, burra të pamartuar me prejardhje nga shtresa të varfëra. Shumë prej tyre kanë shërbyer në Vietnam dhe konfliktet në Irak dhe Afganistan.

Walter Hernandez, që ka shërbyer 24 vjet në ushtrinë amerikane, është një prej tyre.

“Është e vështirë të jesh i pastrehë. Nga dita në ditë duke kërkuar një kafshatë bukë, një vend për të fjetur. Është shtuar numri i të pastrehëve, më shumë veteranë janë të pastrehë tani.”

Hernandez ushqehet tek misioni dhe jetonte këtu para se të gjente një strehë diku tjetër. Përveç ushqyerjes, misioni ndihmon banorët me veshmbathje, larjen e rrobave dhe banjot.

Një grup privat i quajtur “Projekti Jericho” ofron strehim të përhershëm për të pastrehët në New York.

Kjo ndërtesë ka 56 banesa për burra dhe gra. Secila ka guzhinë, krevat, dhomë ndenje, dollapë dhe banjë. Larry Fowler veteran i luftës në Irak thotë se jetesa këtu përbën një ndryshim të madh.

“Kur ke vendin tënd të ndihmon në kërkesën për vend pune, vajtjen në shkollë, miqtë apo familjen.”

Drejtori ekzekutiv i Projektit Jericho Tori Lyon sheh një nevojë speciale për veteranët e ushtrisë që kthehen nga Iraku dhe Afganistani.

“Me t’u bërë të pastrehë, fillojnë një numër problemesh. Synimi ynë parandalimi i një gjenerate tjetër veteranësh të pastrehë.”

Në një parkim të boshatisur në një rrugë të qetë të Bronksit, një tjetër përpjekje vazhdon. Me fonde federale dhe nga qeveria e Nju Jorkut si dhe nga bankat, planet Bridge Gardens, ofrojnë 17 banesa për veteranët.

Mathieu Eugene është me këshillin e qytetit të New Yorkut.

“Është e papranueshme të shikosh këta njerëz që luftuan për lirinë tone, për mënyrën e jetës tone, që kur kthehen në atdhe nga lufta, nuk kanë një vend për të jetuar. Ende duhet të luftojnë për të siguruar kafshatën dhe qasjen tek mjeku.”

Përkrahësit ndaj të pastrehëve thonë se veteranët ushtarakë përballen me rreziqe unike dhe të zgjatura se ka nevoja urgjente për komunitetet për të vepruar.

XS
SM
MD
LG