Ministrat e financave të Grupit të 20 ekonomive më të mëdha dhe krerët e Bankës Botërore dhe FMN-së filluan takimin e tyre sot në Korenë e Jugut, në përpjekje për hartuar një plan për menaxhimin e vlerës së këmbimit të valutave. Zyrtarët u mblodhën për takimin dy ditor në qytetin bregdetar Giongju. Synimi i takimit është shmangia e një lufte për mbrojtjen e vlerës së monedhave që mund të çojë në një krizë tjetër ekonomike globale.
Vendet e G20-ës duket se kanë arritur konsensus për rrugën që do të ndjekin për sa u përket vlerës së monedhave të tyre, sipas Ministrit kanadez të Financës, Xhim Flaherti. Ai i bëri komentet sot, pak para fillimit të takimit të ministrave të financës së G20-ës.
“Ne po përpiqemi të hartojmë një plan-veprim që do të shmangë përpjekjet e vendeve për të mbrojtur monedhën e tyre në mënyra të ndryshme.”
Zoti Flaherti thotë se asnjë nga anëtarët e G20-ës nuk dëshiron të largohet nga takimi pa një marrëveshje.
Takime paraprake u zhvilluan edhe mes Ministrit koreanojugor të Fiancës Jun Xhong Hjun dhe Sekretarit amerikan të Thesarit, Timothi Gaitner, si dhe Ministrit kanadez Flaherti.
Zyrtarët koreanojugorë thonë se presin të ketë një farë përparimi në zgjidhjen e çështjes së monedhës.
Japonia ka paralajmëruar se ekonomia globale do të dëmtohet nëse vendet konkurrojnë në zhvlerësimin e monedhës së tyre. Shqetësimet janë rritur se shumë vende mund ta bëjnë një gjë të tillë për të mbrojtur eksportet e tyre.
Takimi i sotëm në Giongju zhvillohet dy javë pasi ministrat e financave nuk arritën të sheshonin mosmarrëveshjet gjatë një takimi në Uashington, çka shtoi frikën e një lufte monetare që mund të shkaktojë një krizë tjetër ekonomike.