Lidhje

Ministrat grekë mbështesin planin e Kryeministrit për referendum


Ministrat grekë mbështesin planin e Kryeministrit për referendum
Ministrat grekë mbështesin planin e Kryeministrit për referendum

Ministrat e qeverisë greke mbështetën planin e Kryeministrit George Papandreu për të mbajtur një referendum mbi marrëveshjen e Bashkimit Evropian për lehtësimin e borxhit.

Një zëdhënës i qeverisë greke tha sot pas një takimi maratonë të kabinetit se një votim publik do të organizohet sa më shpejt që të jetë e mundur pasi të jenë hartuar hollësitë e marrëveshjes së re për borxhin.

Njoftimi i zotit Papandreu për referendum tronditi botën dhe shkaktoi rënie në tregjet globale të bursës si reagim i investitorëve ndaj pasigurisë në ekonominë evropiane. Sot disa bursa evropiane filluan ta marrin veten.

Kryeministri i tha kabinetit se grekët do të pyeten nëse duan apo të vazhdojnë të përdorin euron. Ai tha se çdo marrëveshje do të zbatohet vetëm me pëlqimin e popullit grek, dhe se ai shpreson se ndonjë trazirë që mund të shkaktojë njoftimi i tij i papritur do të jetë e përkohshme.

Kryeministrit i është kërkuar të shpjegojë veprimet e tij përpara udhëheqësve francezë dhe gjermanë në prag të takimit të G20-s në Francë.

Një numër deputetësh të Partisë Socialiste të kryeministrit e kundërshtojnë mbajtjen e një referendumi. Disa anëtarë të kësaj partie kanë kërkuar dorëheqjen e zotit Papandreu dhe qeveria e tij përballet me një votim mosbesimi të premten në Parlament.

Partia PASOK e kryeministrit ka tani një shumicë me vetëm dy vota pasi një tjetër deputet u largua nga partia.

Zoti Papandreu e ka mbështetur fuqishëm planin e Bashkimit Evropian për të ulur borxhin Greqisë, e cila do të çonte në shkurtime drastike të shpenzimeve dhe rritje të mëdha taksash. Ajo do të eliminonte gjithashtu mijra vende pune të sektorit publik.

Kushtet e marrëveshjes së re të ofruar nga Bashkimi Evropian kërkojnë që bankat evropiane të falin 50 për qind të borxhit të Greqisë. Në fillim u duk se kjo po i qetësonte tregjet por më pas, të martën, zoti Papandreu u tha deputetëve socialistë se ai do të respektojë rezultatet e referendumit.

Udhëheqësit e BE-së, Herman Van Rompuy dhe Hoze Manuel Barroso thanë se "kanë besimtë plotë” se Greqia do ta mbështesë marrëveshjen e eurozonës për lehtësimin e borxhit. Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se t’i lejosh njerëzit të votojnë, është diçka "gjithmonë legjitime", por një marrëveshje mbarëevropiane është e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën borxhit.

XS
SM
MD
LG