Lidhje

Maqedoni: Kreu i OSBE-së viziton kufirin me Greqinë


Ministri i Jashtëm austriak dhe Kryetar i radhës i OSBE-së, Sebastian Kurz, i cili ndodhet për një vizitë në Maqedoni, vizitoi kufirin me Greqinë prej nga kanë kaluar mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme. Ai tha se Maqedonia ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e çështjes së refugjatëve, të cilët përmes Maqedonisë synonin të arrinin në vendet evropiane dhe se autoritetet maqedonase duke penguar valën e atyre refugjatëve kanë ndihmuar kështu, mes të tjerash dhe vendin e tij, Austrinë.

Z. Kurz vizitoi edhe disa vende në rrethin e Gjevgjelisë ku bëhet vëzhgimi elektronik i kufirit dhe kontigjentin e policisë austriake të dislokuar në Gjevgjeli, afër kufirit me Greqinë.

Ministri Kurz u prit nga homologu Nikolla Popovski. Ky i fundit vlerëson se Maqedonia nuk është trajtuar siç kishte pritur, për shkak të kontributit, sipas tij, në çështjen e refugjatëve. Maqedonia shpesh është ankuar për mungesë të fondeve dhe ndihmave nga Bashkimi Evropian për refugjatët nga vendet e Lindjes së Mesme. Por vetëm dy ditë më parë, Komisioneri i BE-së Johannes Hahn i dhuroi autoriteteve në Shkup 33 makina për nevojat e policisë kufitare dhe të Drejtorisë për Menaxhimin e Krizave, me një vlerë prej mbi 800 mijë Eurosh.

Ndërkohë, ministri Kurz u tha mjeteve të informimit në Shkup se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të përzihet në rrjedhën politike të zhvillimeve në Maqedoni dhe se vetë partitë politike duhet të gjejnë rrugëdalje nga kriza. Ai tha se nuk pendohej për shkak të pjesëmarrjes në një miting të VMRO-DPMNE-së gjatë fushatës parazgjedhore, duke theksuar se këtë e kishte bërë në cilësinë e një përfaqësuesi të partisë së tij Popullore të Austrisë.

XS
SM
MD
LG