Lidhje

Përmbytjet e Misisipit prekin bujqësinë e zonave përgjatë lumit


Përmbytjet e Misisipit prekin bujqësinë e zonave përgjatë lumit
Përmbytjet e Misisipit prekin bujqësinë e zonave përgjatë lumit

Përmbytjet përgjatë Lumit Misisipi kanë shkatërruar drithërat, kanë dëmtuar tokën bujqësore dhe kanë vonuar trafikun e anijeve në disa pjesë në jugun e Shteteve të Bashkuara. Por zyrtarët thonë se devijimi i një pjese të ujit në kanalet e shkarkimit në Luiziana do të lehtësojë rrjedhën dhe do të ndihmojë në kthimin e shpejtë të normalitetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus njofton nga Houstoni i Teksasit.

Roja bregdetare amerikane ka mbyllur disa pjesë të lumit Misisipi për trafikun e anijeve gjatë ditëve të fundit dhe ka lejuar vetëm kalimin e një numri të vogël barkash përmes zgjatimit të lumit në afrësi të Vidalias në Luiziana, ku argjinaturat janë gati për t’u përmbytur. Kalimi i barkave ngre nivelin e ujit që mund të kalojë mbi argjinaturat, duke bërë që banorët vendas të jenë në ankth për pronat e tyre.

Por masat e përkohshme nuk kanë patur ndonjë efekt të madh në trafikun e anijeve apo në operacionet e tjera. Sipas zëdhënësit Chris Bonura, porti i Nju Orlinsit, ka patur pak ndërprerje të operacioneve.

"Ne po vazhdojmë të punojmë në pjesën e poshtme të lumit Misisipi. Anijet vijnë nga të gjitha portet e huaja. Ne po menaxhojmë ngarkesat. Aftësia jonë për të shpërndarë ngarkesat e anijeve në tokë është ulur disi nga vonesat në trafikun e barkave në zonën Vidalia. Por kjo është diçka që pritej".

Randy Ouzts me Horizon Ag, një kompani teknologjike farërash në Memphis të Tenesisë thotë se niveli i lartë i ujit në këto zona ka penguar ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve.

“Çështja që na shqetëson për momentin është shpërndarja e grurit dhe gjithashtu e plehërave kimike. Problemi është me ngarkimin. Ndërtesat nuk janë në gjendje të funksionojnë me kaq ujë”.

Menaxheri i përgjithshëm Randy Ouzts thotë se fermerët po kërkojnë ndihmën e qeverisë për të dalë nga katastrofa e këtij viti.

Përmbytjet kanë qënë veçanërisht të vështira për fermerët pasi çmimet e grurit janë relativisht më të larta këtë vit dhe shumë prej tyre kishin të korrura të mira derisa uji vërshoi dhe i shkatërroi të gjitha. Megjithëse përmbytjet përgjatë pjesës jugore të lumit Misisipi janë pasojë e shkrirjes së borës dhe shirave të rëmbyera në veri, fermerët në basenin Achafalaya të Luizianës po e humbasin shumicën e drithërave për shkak të një përmbytje të qëllimshme pasi Korpusi amerikan i Inxhinierëve të Ushtrisë hapi portat e shkarkimit në Morganza ditët e fundit për të ulur nivelin e ujit në Misisipin e poshtëm që mund të shkatërronte qytetet Baton Rouge dhe Nju Orlins si dhe infrastrukturën për furnizimin me naftë dhe gas.

Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë amerikane që ndërtoi sistemin e argjinaturave dekada më parë për të kontrolluar përmbytjet përgjatë lumit Misisipi është kritikuar shpesh kur shkakton përmbytje të qëllimshme në zonat si baseni Achafalaja.

Por Marty Frey thotë se fermerët e dinin mirë rrezikun kur e blenë këtë tokë dhe janë të kënaqur me sistemin e kontrollit të përmbytjeve.

Familja e Freyt kultivon oriz dhe rrit peshq në rezertavin e pronës së tyre. Marty thotë se në se ka përmbytje një erë në 30 vjetë, ai beson se ja vlen të vazhdojë të punojë këtu. Hera e fundit që pati përmbytje ishte viti 1973.

XS
SM
MD
LG