Lidhje

Stili “Downton” i Mobilimit të Shtëpive


Suksesi i dramës televizive britanike “Downton Abbey,” e cila bazohet në historinë e familjes aristokrate Crawley pas periudhës të sundimit të mbretit Edward të VII-të, po depërton në mënyrën e zbukurimit të shtëpive. Ngjarjet zhvillohen në pallatin Downton Abbey, shtëpinë e kontit dhe konteshës së qytetit të Granthamit, Robert dhe Cora Crawley pas vitit 1910. Stili i zbukurimit i kësaj shtëpie imagjinare të një shekulli më parë, po frymëzon njerëzit sot. Ky stil bazohet në idenë e luksit por edhe rehatisë, me mure të veshura, tekstile dhe tapiceri që duken klasike, me mobilje prej druri mogani, dhe me detaje të arta.

Stili i viteve para Luftës së Parë Botërore, i quajtur post-Edwardian meqë përkon me largimin nga froni të mbretit britanik Edward i VII-të, është i ndikuar pak nga periudha Viktoriane. Ky stil po bëhet popullor falë dramës televizive britanike “Downton Abbey.” Sofistikimi dhe finesa e serialit është ajo që kërkojnë njerëzit, duke përfshirë materiale luksozë dhe detaje të arta.

Ka një dëshirë për t’i kushtuar vëmendje detajeve, si kornizave të arta të pasqyrave, portreteve, tapicerive, perdeve të bukura dhe të rënda për dritaret, e të tjerë. Timothy Corrigan, i cili është një stilist për shtëpitë, me zyra në Los Anxheles dhe Paris, konsiderohet si një nga 100 më të mirët nga revista Architectural Digest dhe një nga 40 më të mirët në botë nga revista The Robb Report. Ai thotë se tani stili ka ndryshuar nga minimalizmi ekstrem, sepse njerëzit po i rikthehen lluksit.

“Stili i influencuar nga Downton Abbey është rreth rehatisë dhe elegancës, dy aspekte të gërshetuara së bashku. Në qoftë se shikon me vëmendje shtëpitë angleze larg qyteteve, vën rë se ato ishin të rrethuara nga një mjedis i bukur dhe i rehatshëm, ku njerëzit mund të çlodheshin, por kishte dhe elegancë.”

Downton Abbey është një shtëpi imagjinare në Anglinë verilindore, dhe çdo javë shikuesit ndjekin emisionin që mban emrin e kësaj shtëpie, për të ndjekur jetët e personazheve por edhe për zbukurimet e saj luksoze. Për shkak të saj, dyqanet tani po shesin më shumë sende të influencuara nga periudha Viktoriane dhe Edwardiane.

Për t’iu përshtatur këtij stili, dekoruesit e shtëpive thonë se sendet duhen të zgjidhen me kujdes por nuk nevojiten të jenë shumë të shtrenjta.
Rekomandohen skulptura buste dhe libra, punime me detaje të arta ose të argjendta, mobilje unike të stilit antik, dhe kolltuqe me damask luksoze.

Gjëja tjetër që duhet marrë parasysh është ndriçimi i shtëpive, me llambadarë dhe shandanë, drita e të cilëve reflektohet nga pasqyrat dhe i jep dhomave një shkëlqim të artë. Zoti Timothy Corrigan mendon se njerëzit ishin lodhur nga stili minimalist bashkëkohor.

“Një nga prirjet e fundit është rikthimi tek e bukura. Për një kohë të gjatë, njerëzit i druheshin asaj, sikur ishte diçka e keqe. Ishte e nevojshme që ambjentet e brendshme të kishin një pamje bashkëkohore minimaliste, por problemi është se njerëzit nuk jetojnë ashtu.”

Fatima Malick, nje eksperte për zbukurimin e shtëpive, është specialiste për modën luksoze të zbukurimit të mjediseve të brendshme. Ajo thotë se dëshira për ambjente elegante është përhapur kohët e fundit.

“Ata po i shtojnë një pamje dramatike shtëpive të tyre dhe mua më pëlqen shumë. Po rikthehen në modë ngjyrat pastele, sidomos në dhomat e pritjes, dhe më kanë kërkuar që të merrem me disa biblioteka në vende të pazakonta, si nëpër sallone ose dhomat e ngrënies. Po gërshetohen elementet mashkullore me ato femërore, si për shembull lëkurat dhe sendet e arta.”

Ky stil i cili e gjeti frymëzimin nga Downton Abbey, me një kombinim të njëkohshëm rehatie dhe elegance, është përhapur dhe nëpër festa.
XS
SM
MD
LG