Lidhje

Udhëheqësi koreano-jugor, i hapur për bisedime me homologun koreano-verior


Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in tha sot se është i gatshëm të takohet me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong un, për sa kohë që përmbushen disa kushte paraprake. Zoti Moon tha se fillimisht duhet të marrë garanci se do të arrihet një nivel suksesi, para se të ulet për diskutime me zotin Kim.

Presidenti koreano-jugor e bëri njoftimin një ditë pasi dy Koretë zhvilluan takimin e parë të nivelit të lartë në afro dy vjet dhe ranë dakord të bashkëpunojnë për Lojërat Olimpike dimërore që zhvillohen në shkurt në Korenë e Jugut.

“Jam i hapur ndaj çdo takimi, qoftë edhe takim të nivelit të lartë me Korenë e Veriut nëse i shërben përmirësimit të marrëdhënieve mes Koreve apo një zgjidhjeje të çështjes së programit bërthamor koreano-verior,” tha zoti Moon.

Presidenti koreano-jugor shprehu mirënjohje për rolin e Presidentit Trump në bisedimet mes Koreve, siç duket në një përpjekje për të eliminuar shqetësimet e Uashingtonit se Pheniani po përpiqet të përjashtojë Shtetet e Bashkuara nga bisedime të ardhshme mbi çmilitarizimin.

“Pjesëmarrja e Koresë së Veriut është një mundësi që i jepet këtij regjimi për të parë se ç’vlerë ka dalja nga izolimi që ka shkaktuar militarizimi bërthamor. Shpresojmë se do të vazhdojmë të bëjmë përpara në këtë drejtim, por kjo gjithsesi nuk ndikon tek pjesëmarrja jonë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë shkëmbimet e retorikës mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior tek pjesëmarrja amerikane në diskutimet të cilat synojnë të bindin Phenianin që të ndalë provat me raketa balistike dhe të heqë dorë nga ambicjet bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG