Lidhje

Moska, Kievi: Uashingtoni të hetojë aktivitetin e Manafortit në Ukrainë

  • Zllatica Hoke

Ukraina dhe Rusia po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të analizojnë me kujdes aktivitetin lobist që ka zhvilluar në Ukrainë firma e Paul Manafortit, ish-manaxher i fushatës Trump. Paul Manafort është akuzuar nga autoritetet federale për pastrim parash dhe vepra të tjera penale të kryera gjatë periudhës që shërbente si lobist për partinë pro-ruse të ish-presidentit Viktor Janukoviç. Moska thotë se zyrtarët amerikanë duhet të hetojnë faktorin ukrainas dhe jo të fajësojnë Moskën për ndërhyrje në zgjedhje. Ndërkaq, zyrtarët në Kiev thonë për Zërin e Amerikës se Rusia duhet të dorëzojë Janukoviçin, i cili të merret në pyetje për aktivitetet e tij në Ukrainë.

Viktor Janukoviç u arratis nga Kievi pak para se Moska të aneksonte Krimenë në mars 2014. Qeveria ukrainase e kërkon ish-presidentin nën akuzat për përvetësim fondesh, tradhëti e deri tek vrasje në masë. Dje hollësi të reja dolën mbi aktivitetin e biznesit të Paul Manafortit në interes të Janukoviçit, megjithëse ky aktivitet përfundoi para se ai të fillonte punë për fushatën Trump.

Ministri i jashtëm rus tha dje se akuzat amerikane për ndërhyrje nga Rusia në zgjedhjet amerikane janë trillime.

“Akuza pa bazë nuk janë në interes të atyre që e filluan këtë zullum dhe që nuk po dinë as si të dalin prej tij. Tani kanë zbuluar gjurmë të reja të Manafortit në Ukrainë. Por ndoshta kjo pistë hetimesh duhet ndjekur në Ukrainë. Ndoshta ata kanë gjëra për të rrëfyer për qëndrimin e tyre ndaj fushatës presidenciale amerikane,” - tha Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Por një ndihmës i afërt i Presidentit ukrainas Petro Poroshenko tha për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin në pyetje Janukoviçin.

“Janukoviçi ishte në krye të strukturës, ai ishte udhëheqësi i atij sistemi të korruptuar vertikal që u ndërtua në Ukrainë që kur ai mori pushtetin në 2012, deri në 2013 kur filloi revolucioni. Në atë kohë ndiqeshin politika shumë agresive kundër biznesmenëve, kishte zhvatje parash nga pronarët në biznese të ndryshme,” thotë zëvendës shefi i stafit të Presidentit Poroshenko.

Dmitri Shimkiv shprehet optimist se hetime të mëtejshme nga zyrtarë federalë amerikanë do të ndihmonin Ukrainën të zbulonte hollësi të tjera mbi aktivitetin e paligjshëm të Janukoviçit dhe partisë së tij.

“Duke marrë në pyetje Paul Manafortin, autoritetet e rendit në Amerikë mund të mësojnë hollësi të reja mbi praktikat korruptive dhe aktivitete të tjera të paligjshme të kryera në atë kohë në Ukrainë. Kjo do të ndihmonte autoritetet në Ukrainë për të përgatitur argumente më të forta për ndjekjen penale të këtyre individëve,” - thotë zoti Shimkiv.

Zyrtari ukrainas tha se hetimet mbi aktivitetin e Manafortit në Ukrainë mund të nxjerrin në dritë sa ka ndikuar Rusia në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Por ai shton se edhe pa këto hetime është e qartë se Moska ka përdorur median sociale dhe rrjetet e saj mediatike në gjuhën angleze për të ndikuar tek zgjedhjet në favor të Donald Trumpit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG