Lidhje

Moskë, mbahet në paraburgim investitori amerikan


Michael Calvey, gjatë seancës gjyqësore në Moskë, më 15 shkurt 2019
Michael Calvey, gjatë seancës gjyqësore në Moskë, më 15 shkurt 2019

Firma e investimeve me seli në Moskë, “Baring Vostok Capital Partners”, njoftoi të hënën se aksionerja kryesore Elena Ivashentseva dhe bashkëthemeluesi Alexei Kalinin kanë marrë drejtimin e kompanisë pas arrestimit të shtunën të themeluesit të firmës Michael Calvey, i dyshuar për përvetësim fondesh përmes mashtrimit.

Në Moskë, Gjykatësi Artur Karpov urdhëroi që zoti Calvey, themelues i firmës dhe një prej investitorëve të saj kryesorë, të mbahej nën arrest deri më 13 prill, duke konkluduar se për shkak të seriozitetit të akuzave ekziston rreziku i largimit të tij nga vendi.

Avokati i zotit Calvey tha se ai është i pafajshëm dhe se do ta apelojë vendimin. Katër të akuzuar të tjerë në këtë çështje gjyqësore janë vendosur gjithashtu në paraburgim për një periudhë dymujore.

Zëdhënësi i gjykatës së Moskës njoftoi të premten se zoti Calvey ishte ndaluar së bashku me anëtarë të tjerë të kompanisë, të dyshuar për vjedhjen e rreth 37.5 milionë dollarëve, akuzë e cila ndëshkohet me deri në 10 vite burgim.

51-vjeçari Michael Calvey themeloi këtë kompani në vitin 1994. Sipas faqes në internet të kompanisë, kapitali i saj është rreth 3.5 miliardë dollarë dhe zotëron një shumicë aksionesh të Bankës ruse Vostochny, e cila është e përqëndruar në Siberi dhe në tregjet e Lindjes së Largët.

Në një deklaratë të kompanisë thuhet se “mendojmë që ndalimi i punonjësve të kompanisë sonë dhe akuzat e ngritura ndaj tyre vijnë si rezultat i një konflikti mes aksionerëve të Bankës Vostochny. Kemi besim të plotë në ligjshmërinë e veprimeve të punonjësve tanë dhe do të mbrojmë me forcë të drejtat e tyre. Aktivitetet e kompanisë “Baring Vostok” në Federatën Ruse janë në përputhje të plotë me të gjitha ligjet në fuqi”.

Përpara se të themelonte kompaninë “Baring Vostok”, zoti Calvey punonte për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe për kompaninë Salomon Brothers. Pas vendosjes në Moskë në mesin e viteve ‘90-të, ai u bë një anëtar i suksesshëm i komunitetit të investitorëve të Moskës. Ai është gjithashtu anëtar i bordit të Këshillit të Atlantikut, me seli në Uashington.

Që nga 31 dhjetori, zoti Calvey është shtetasi i tretë i një vendi perëndimor që përballet me akuza në Rusi. Fillimisht, shtetasi amerikan Paul Whelan, një ish-marins, u burgos me akuza për spiunazh. Javën e kaluar, një gjykatë ruse dënoi me gjashtë vite burg shtetasin danez Dennis Christensen, anëtar i bashkësisë fetare “Dëshmitarët e Jehovait”, për “pjesëmarrje në aktivitetin e një organizate ekstremiste”.

Megjithëse Rusia ka burgosur në të kaluarën investitorë të huaj që patën kritikuar publikisht Kremlinin, zoti Calvey nuk ka shprehur pikëpamje të tilla politike në publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG