Lidhje

Muamar Gadafi, një udhëheqës eksentrik dhe shtypës


Muamar Gadafi, një udhëheqës eksentrik dhe shtypës
Muamar Gadafi, një udhëheqës eksentrik dhe shtypës

Vdekja e sotme e Kolonel Moamar Gadafit i jep fund një lufte të gjatë kundër rebelëve. Deri në fund, ai refuzoi të jepte dorëheqjen, një kokëfortësi që pasqyron diktaturën e tij 40-vjeçare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës JulieAnn McKellogg i hedh një vështrim jetës së udhëheqësit, i cili ka mbajtur pushtetin më gjatë se çdo udhëheqës tjetër në botën arabe dhe se si do të mbahet mend ai.

Moamar Gadafi ishte vetëm një oficer 27-vjeçar i ushtrisë, kur ai erdhi në pushtet në vitin 1969 pas një grusht-shteti ushtarak kundër mbretit të Libisë.

Gadafi shpejt fitoi reputacionin e një kritiku të hapur të Perëndimit. Ai nuk veshi më uniformën ushtarake, shfrytëzoi krenarinë e tij arabe dhe u përpoq të bashkonte botën arabe. Më vonë, ai ra në sy për veshjet, fjalimet, dhe trupërojet e tij femra, duke e bërë atë një udhëheqës eksentrik në skenën botërore.

Jerrold Post është drejtor i programit të psikologjisë politike në Universitetin George Washington.

“Ne përpiqemi të fokusohemi tek eksentrizmin e tij, por ai kryesisht ka qenë një udhëheqës mjaft i efektshëm, sidomos në skenën ndërkombëtare dhe mjaft simpatik, por sigurisht që ai ishte një udhëheqës me karakteristika të veçanta”.

Gadafi krijoi një sistem shoqëror, politik dhe ekonomik të quajtur “Xhamahirija,” që në arabisht do të thotë shteti i masave. Ai e ka përshkruar filozofinë e tij në librin e tij të famshëm “Libri i gjelbër”. Ai bëri thirrje për një vend pa institucione, të drejtuar nga populli dhe të udhëhequr prej tij.

Por Daniel Server i Institutit të Lindjes së Mesme thotë se kjo filozofi kurrë nuk ka funksionuar në këtë mënyrë.

“Ai ishte një njeri që i mësoi libianët se ata duhet të formojnë këshillat për të qeverisur veten. Por nuk i lejoi ata të qeverisin vetveten. Vendi drejtohej nga një njeri”.

Zoti Server thotë se pasuritë e naftës dhe gazit në Libi i dhanë Gadafit ndikim si brenda ashtu dhe jashtë vendit të tij. Ai kishte mbajtur mënjanë pasuri për veten e tij dhe aleatët e tij më të ngushtë.

“Ai u bë gjithashtu një simbol i unitetit të Libisë, një vend që u krijua nga bashkimi i disa pjesëve të ndryshme”.

Lidhjet me terrorizmin kanë njollosur imazhin ndërkombëtar të Gadafit. Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar atë për shpërthimin në një klub gjerman nate në vitin 1986, ku u vranë dy ushtarë amerikanë.

Në vitin 2003, Gadafi ndërmori hapa për t’u pajtuar me Perëndimin. Ai pranoi përgjegjësinë për shpërthimin që rrëzoi një aeroplan në vitin 1988, ku u vranë 270 njerëz në Lokerbi të Skocisë. Ai gjithashtu hoqi dorë nga armët e shkatërrimit në masë dhe terrorizmi. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara hoqën elementët e programit bërthamor të Libisë nga vendi, pezulluan sanksionet dhe rivendosën marrëdhëniet diplomatike.

Por, në fillim të këtij viti, mijëra libianë u rebeluan kundër sundimit autoritar të Gadafit.

Ata u bashkuan me revolucionet e tjera arabe dhe kërkuan që ai të japë dorëheqjen. Ai u përgjigj me një goditje të dhunshme ndaj protestave.

Shumë shpejt pjesa më e madhe e botës ishte kundër tij. Kombet e Bashkuara vendosën sanksione kundër Libisë dhe NATO filloi sulmet ajrore.

Por Gadafi nuk pranoi të largohej.

“Ka një konspiracion për të kontrolluar naftën e Libisë, për të kontrolluar Libinë dhe për të kolonizuar Libinë përsëri. Kjo është e pamundur. Ne do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur Libinë.”

Çdo gjë kishte të bënte me vet Gadafin, thonë analistët Daniel Sewer dhe Jerrold Post.

“Ai e kishte këtë imazh të vetes së tij, që i dukej vetja në qendër të botës arabe, si udhëheqësi më i madh pan-afrikan, e musliman, si udhëheqësi i botës së tretë”.

Daniel Serwer ka pikëpamje të ngjashme.

"Kjo do të jetë një trashëgimi e autokracisë, e rezistencës ndaj demokracisë. Dhe për shumë njerëz kjo do të jetë një trashëgimi vërtetë e një njeriu të çmendur".

Në fund, Moamar Gadafi, oficeri i ri ushtarak i prindërve nomad, i cili e shpalli veten e tij si njeri unifikues, i bashkoi libianët në luftën kundër tij.

XS
SM
MD
LG