Lidhje

Robert Mueller do të dëshmojë para Kongresit në seancë të hapur


Prokurori i posaçëm, Robert Mueller, ka rënë dakord të dëshmojë në seancë të hapur para Komisionit Juridik dhe të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Kryetarët e të dy komisioneve, Jerrold Nadler dhe Adam Schiff, njoftuan përmes një letre të martën vonë, se prokurori Mueller do të paraqitet më 17 korrik dhe se ata dhe të gjithë amerikanët mezi presin të dëgjojnë prej tij.

Robert Mueller udhëhoqi një hetim pothuajse dy vjeçar mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe pretendimet se presidenti Donald Trump, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të mbyllë hetimin.

Ai publikoi një raport, një version i redaktuar i të cilit u bë publik në muajin prill, që përfundoi se fushata e presidentit Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve, por nuk arriti të sillte një përfundim në lidhje me pengimin e drejtësisë.

Presidenti Trump ishte shume kritik ndaj procesit, duke i cilësuar hetimet vazhdimisht si “ndjekje shtrigash”. Ai reagoi shkurt pas njoftimit të së martës në rrjetin twiiter duke shkruar “keqtrajtim i presidentit”.

Komentet e vetme të prokurorit Mueller deri tash u bënë në një konferencë me gazetarë në muajin maj, gjatë së cilës ai lexoi një deklaratë të përgatitur që më parë dhe nuk pranoi asnjë pyetje.

Ligjvënësit Nadler dhe Schiff kishin lëshuar fletëthirrje që kërkonin detyrimin e prokurorit Mueller që të dëshmojë, duke shpjeguar se ndërsa ata vënë në dukje dëshirën e prokurorit të posaçëm që është i mjaftueshëm raporti i tij me shkrim, publiku meriton të dëgjojë drejtpërdrejt jo vetëm për përfundimet e tij, por edhe për vet hetimet.

"Amerikanët kanë kërkuar të dëgjojnë drejtpërdrejt nga prokurori i posaçëm, në mënyrë që të mund të kuptojnë atë që ai dhe ekipi i tij hetuan, zbuluan dhe vendosën rreth sulmit të Rusisë në demokracinë tonë, pranimin dhe përdorimin e kësaj ndihme nga ana e presidentit Trump dhe pengimin e hetimit të sulmit nga presidentit Trump dhe bashkëpunëtorët e tij”, shkruan në letrën e tyre ligjvënësit Nadler dhe Schiff.

Demokratët kanë kërkuar jo vetëm publikimin e më shumë informacioneve nga raporti i zotit Mueller, por kanë vazhduar të kërkojnë dëshmi nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës së presidentit Trump, për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe në pjesën e parë të mandatit të presidentit. Republikanët i kanë kritikuar hetimet duke theksuar se Kongresi duhet të ecë përpara.

Ligjvënësi, Doug Collins, përfaqësuesi kryesor në Komisionin Juridik, tha se shpreson që paraqitja e prokurorit Mueller “do t’i jap fund lojës politike të demokratëve të këtij komisioni në kurriz të taksapaguesve”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, mirëpriti gatishmërinë e zotit Mueller për të dëshmuar, duke vënë theksin tek shqetësimet për zgjedhjet e ardhshme dhe duke nënvizuar se “është detyrë patriotike e ligjvënësve që të ndjekin faktet, në mënyrë që të mbrojmë demokracinë tonë”.

"Raporti i zoti Mueller zbuloi se rusët zhvilluan një sulm 'gjithëpërfshirës dhe sistematik’ ndaj zgjedhjeve tona dhe zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit dhe të zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar se rusët do të sulmojnë përsëri zgjedhjet tona," tha ajo në një deklaratë. "Megjithatë, fatkeqësisht presidenti e quan atë një rreng dhe sugjeron se ai do të mirëpriste ndërhyrjen ruse përsëri."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG