Lidhje

Në pritje të publikimit të “Raportit Mueller”


Kur doli fjala se Prokurori Mueller po përmbyll procesin hetimor mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës dhe u tha se raporti mund të dalë që javën e ardhshme, Uashingtoni filloi të ziente.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maood Farivar, ka spekulime të shumta mbi përfundimet që Prokurori i Posaçëm Robert Mueller që do të përfshijë në raport: a do të ketë dëshmi që implikojnë Presidentin Trump në akte penale, apo raporti do të arrijë të vërtetojë pafajësinë e presidentit pas një procesi që vetë zoti Trump e ka cilësuar si “gjueti shtrigash”?

Një tjetër temë e nxehtë: a do të bëhet publik raporti apo amerikanët dhe e gjithë bota do të jenë në errësirë lidhur me një proces hetimor që ka hedhur hije dyshimi mbi administratën Trump?

Zoti Mueller mund t’ia dorëzojë raportin Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr brenda pak ditësh, siç bëjnë të ditur një numër njoftimesh të pakonfirmuara, duke përmbyllur një proces që zgjati dy vjet dhe u shoqërua me hipoteza se agjentë të qeverisë ruse kishin qenë në bashkëpunim të fshehtë me fushatën Trump në përpjekje për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në favor të kandidatit republikan, Donald Trump në kurriz të rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Hetimet kanë rezultuar në ngrijtjen e akuzave penale kundër më shumë se 20 operativëve rusë dhe gjashtë ish-bashkëpunëtorëve në biznes apo gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump, por deri tani nuk kanë dalë prova se vetë zoti Trump ka qenë i përfshirë në bashkëpunim të fshehtë apo në akte të tjera të paligjshme gjatë aktivitetit për fushatë. Ende mbeten të hapura pyetjet nëse komentet dhe vendimet e Presidentit Trump për të ndikuar apo penguar procesin hetimor përmbushin standardin e aktit penal të pengimit të drejtësisë.

Në vijim, pesë pyetje që ekspertë ligjorë dhe ish-hetues në një tjetër proces të pavarur hetimor, kanë ngritur lidhur me raportin:

A do të Bëhet Publik Raporti?

Sipas rregullores aktuale të Departamentit të Drejtësisë, Prokurorit Mueller i kërkohet t’i paraqesë Prokurorit të Përgjithshëm William Barr një “raport konfidencial” lidhur me përfundimet e tij dhe më pas prokurori i përgjithshëm informon Kongresin. Rregullorja nuk parashikon që zoti Mueller ta bëjë publik raportin.

Presidenti Trump tha këtë javë se është në dorë të Prokurorit të Përgjithshëm William Barr të vendosë nëse do t’i dorëzojë Kongresit të gjithë raportin. Zoti Barr, i cili ka shërbyer edhe më parë në rolin e Prokurorit të Përgjithshëm gjatë administratës së Presidentit George H. W. Bush, nuk është shprehur mbi këtë temë. Gjatë senacës së konfirmimit të tij në këtë post pak ditë më parë, zoti Barr u zotua se do të ofrojë “sa më shumë transparencë që të jetë e mundur” lidhur me raportin e Prokurorit Mueller, por nuk pranoi të thoshte se do ta paraqiste të plotë raportin.

Kjo nuk u prit mirë nga demokratët në Kongres, të cilët kanë kërcënuar se do të urdhërojnë zyrtarisht ose dorëzimin e raportit ose paraqitjen e zotit Mueller para Kongresit për të dëshmuar. Senatori demokrat Richard Blumenthan nga shteti Konektikat tha për rrjetin CNN këtë javë se nëse raporti nuk publikohet i plotë, “publiku do të mendojë, me të drejtë, se kjo është rezultat i një inskenimi për të mbuluar të vërtetën”.

Me këtë presion që po bëjnë ligjvënësit, media dhe votuesit për sqarime pas një procesi kaq të gjatë hetimor, është e sigurtë që diçka nga raporti do të bëhet publike. Ka të ngjarë që me kalimin e kohës të nxirren në media hollësi të tjera të raportit. Kim Wehle, e cila ka punuar në procesin e pavarur hetimor Whitewater dhe tani është profesore e së drejtës në Universitetin e Baltimorës, thekson se publikimi i raportit është me rëndësi kyçe për të garantuar përgjegjshmërinë e qeverisë.

Çfarë do të Ketë Raporti?

Prokurori i Posaçëm ka operuar me një mandat të gjerë. Synimi ishte të zbulohej nëse rusët kanë bashkëpunuar me fushatën Trump për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të 2016-ës si dhe për të ndjekur pista të tjera që dalin gjatë procesit hetimor.

Megjithatë, ato që kërkohet nga raporti i Prokurorit Mueller ka një fokus shumë më të ngushtë. Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që prokurori të japë shpjegime për vendimin e tij për të ngritur apo jo akuza ndaj personave të ndryshëm mbi të cilët u përqëndrua hetimi. Përtej kësaj pike nuk ka rregulla të qarta se çfarë forme mund të marrë raporti dhe sa i gjatë mund të jetë.

“Mund të jetë raport i shkurtër që përmbledh konkluzionet, ose i gjatë sa një roman,” thotë Randall D. Eliason, ish-prokuror federal dhe tani profesor i së drejtës në Universitetin George Washington.

Dy pyetjet më të mëdha që duan përgjigje

Janë dy pyetje madhore që ekspertët ligjorë presin që të marrin përgjigje në raport: A pati koordinim mes anëtarëve të fushatës së Presidentit Trump dhe operativëve rusë që u përpoqën të ndikojnë në zgjedhje dhe a ishte Presidenti Trump personalisht i përfshirë në një konspiracion të tillë ose krime të tjera?

Deri tani, zoti Mueller nuk ka nxjerrë të dhëna për bashkëpunim të qëllimshëm. Ndërsa Prokurori i Posaçëm ka ngritur akuza për mbi 25 operativë rusë se kanë kërkuar të ndikojnë tek zgjedhjet dhe mbi disa ish-bashkëpunëtorë të zotit Trump se kanë gënjyer për kontaktet e tyre me rusët dhe shkelje të tjera, ai nuk i ka lidhur ata me konspiracion kriminal.

“Kjo është pyetja e madhe e pazgjidhur. Mendoj se ai në një farë mënyrë duhet t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, sepse kjo është akuza kryesore”, tha profesori Eliason.

Një tjetër pyetje kritike është nëse Mueller do të paraqesë ndonjë provë keqbërjeje nga ana e zotit Trump, që ai mund ta ketë zbuluar gjatë hetimit.

“Kjo është pyetja e mbetur, përgjigjen e së cilës e duan të gjithë për synimet e një zgjidhjeje politike, nëse ka një shkelje të tillë dhe e kam fjalën sigurisht për procedurën e shkarkimit”, tha profesorja Wehle.

Kushtetuta amerikane thotë se një president mund të hiqet nga detyra për “krime dhe shkelje të rënda”, duke e lënë pyetjen për “shkelje që mund të sjellin shkarkim”, hapur për interpretim nga Kongresi.

Prokuurori i Posaçëm, Kenneth Starr përfshiu një listë me shkelje që mund të sillnin shkarkim në raportin përfundimtar për Kongresin për Presidentin e atëhershëm, Bill Clinton. Por rregullat aktuale të Departamentit të Drejtësisë, nuk i kërkojnë zotit Mueller ta bëjë një gjë të tillë, tha Eric Jaso, një ish-prokuror i posaçëm dhe tani një partner tek firma ligjore Spiro Harrison.

David Super, profesor i së drejtës në Universitetin Georgetown, vë në dukje se ish-avokati i Presidentit Trump, Michael Cohen e ka implikuar zotin Trumë në sjellje të paligjshme, duke dëshmuar vitin e kaluar se kishte paguar dy gra që të mos flisnin për lidhjet e tyre me Presidetin Trump, gjatë fushatës presienciale të vitit 2016.

"Do të habitesha nëse zoti Mueller do kishte ndjesinë që nuk fliste dot për presidentin, ndërsa shpjegon se çfarë bëjnë njerëzit e tjerë me të”, tha ai.

Nga ana tjetër, raporti mund ta nxjerrë të larë presidentin.

A priten padi të tjera?

Sipas udhëzimeve të Departmentit të Drejtësisë, mbi një president nuk mund të ngrihen padi dhe zoti Mueller pritet që t’i ndjekë këto udhëzime. Por edhe nëse zoit Mueller po shqyrton mundësinë e padive të tjera, ai nuk ka lënë të kuptohet ndonjë gjë e tillë.

Përveç njoftimit të akuzave të reja, raporti i zotit Mueller mund të hedhë dritë mbi lojtarë dhe institucione që kanë qenë si në hije gjatë hetimit por nuk janë përballur me akuza, thotë prof. Super.

Një shembull: Deutschebank e Gjermanisë e cila gjatë viteve ishte një burim i madh huash për Organizatën Trump.

Çfarë ndodh pas dorëzimit të raportit

Dorëzimi i raportit të zotit Mueller nuk nënkupton fundin e problemeve ligjore të zotit Trump, edhe nëse presidenti nuk është akuzuar konkretisht për shkelje. Muajt e fundit, Mueller ia ka kaluar pjesë të hetimit të tij Distriktit Jugor të Nju Jorkut, ku prokurorët kanë hapur një hetim të veçantë për financat e zotit Trump.

"Nuk mendoj se duhet të nxjerrim përfundimin se vetëm sepse nxorri raportin përfundimtar, kjo do të sjellë fundin e çështjeve penale, por thjesht ato çështje do të vazhdojnë përmes procesit rutinë të priokurorive”, tha Prof. Super.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG