Policia gjermane vazhdoi sot hetimet në vendngjarjen ku një burrë drejtoi furgonin përmes një turme njerëzish të mbledhur në qendrën e vjetër historike të qytetit Muenster, në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Prokurorët ende nuk dinë motivimin e autorit të sulmit, ndërkohë që u njoftua se në apartamentin e tij u gjetën një automatik Kallashnikov dhe fishekzjarre.
Policia njoftoi se të paktën dy persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur furgoni goditi njerëzit e ulur në tavolinat përreth restorantit “Grosser Kiepenkerl”, një destinacion popullor për turistët.
Aty pranë gjendet një statujë e famshme e shekullit të 19-të të një tregtari shëtitës të njohur me emrin Kiepenkerl. Pas incidentit, emërtimi po përdoret si hashtag në Twitter në lidhje me këtë ngjarje.
Mendohet se shoferi i moshës 48-vjeçare vrau veten brenda në furgon. Të paktën gjashtë nga të plagosurit janë në gjendje kritike. Prokurorët thanë sot se ende nuk i dinë motivet e autorit të sulmit, ndërkohë që u njoftua se në apartamentin e tij u gjet një automatik AK-47 dhe fishekzjarre.
Zëdhënësi i policisë Andreas Bode tha se hetuesit po ndjekin disa linja hetimi.
“Sipas dëshmitarëve, mund të ketë pasur edhe njerëz të tjerë në furgon, të cilët u larguan. Po hetojmë dhe nuk kemi detaje të mëtejshme”, tha zoti Bode.
Policia po hetonte gjithashtu edhe një objekt të dyshimtë të gjendur brenda në automjet.
Pasi vendosi lule, Ministri i Brendshëm Horst Seehofer e quajti ngjarjen një “krim brutal”.
“Megjithë masat e marra për të bërë çfarë është e mundur për mbrojtjen e qytetarëve tanë, fatkeqësisht siguria e plotë nuk është e mundur. Megjithatë duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi, ndoshta edhe për t’i parandaluar krime të tilla”, tha zoti Seehofer.
Kancelarja Angela Merkel u shpreh në një deklaratë se ishte “thellësisht e shokuar nga ngjarja e tmerrshme në Muenster”.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë dje thuhej se Presidenti Donald Trump ishte informuar për incidentin.
Facebook Forum