Lidhje

Vdiq ish presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe


Robert Mugabe, njeriu që sundoi vendin afrikan Zimbabve për 37 vite radhazi, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare. Ai e drejtoi këtë vend nga viti 1980 kur pakica e bardhë humbi pushtetin. Disa e shohin atë si hero të lirisë, por të tjerë thonë se ai shkatërroi ekonominë e vendit, manipuloi zgjedhjet dhe terrorizoi popullin për dekada të tëra.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa.

Derisa çoi Zimbabvenë drejt pavarësisë nga Britania në vitin 1980, Robert Mugabe u vlerësua si një hero çlirimtar afrikan dhe kampion i pajtimit racor.

Ai ishte krenar dhe mospërfillës, deri në fund. Robert Mugabe ishte presidenti i parë i Zimbabvesë moderne. Ai la një trashëgimi të komplikuar pas 37 vitesh sundimi autokratik.

Zëvendësi i tij i dikurshëm, Emmerson Mnangagwa, e detyroi atë të dorëhiqet më 2017 duke i zënë vendin, por pa kërkuar që Mugabe të ndëshkohej.

“Ai është themelues i Zimbabvesë, themelues i Zimbabvesë së lirë”, thotë presidenti i vendit, Mnangagwa.

Më 2018, pas disa dekadash, miliona banorë votuan në zgjedhje, ku Mugabe nuk ishte i përfshirë.

Ai ishte mes votuesve. Por, udhëheqësi i dorës së fortë nuk u largua nga pushteti me qetësi.

“U mashtrova duke besuar se gjithçka është në rregull, që nuk kishte grusht shteti. Ishte tërësisht grusht shteti”, deklaroi në atë kohë Robert Mugabe.

Ai mbronte trashëgiminë e tij.

“Gjatë gjithë kohës kam qarë për kthim, kthimin tonë, kushtetutshmërinë, ligjshmërinë tonë, kthimin e lirisë për popullin tonë, një ambient ku njerëzit janë të lirë”, ishin fjalët e Mugabes.

Shumë banorë që kanë lindur pasi ai mori pushtetin, thonë se e vërteta qëndron diku në mes.

“Në fillim kishte të drejtë, por diku gaboi”, thotë një banor.

Mugabe negocioi pavarësinë e Zimbabvesë nga Britania më 1979. Më herët ishte ai që pajtoi popullin pas 15 vitesh luftë civile. Ai poashtu zgjeroi sistemin e edukimit dhe shëndetit.

Por me kalimin e kohës, ai rriti kontrollin dhe u akuzua për abuzim të të drejtave të njeriut, shtypje dhe manipulim zgjedhjesh.

Një program shpronësimi i disa tokave të largëta dëmtoi ekonominë, pastaj pati rritje të inflacionit dhe papunësisë. Pavarësisht kësaj, ai gjithmonë pritej ngrohtë nga njerëzit.

Mugabe do të varroset në kompleksin e quajtur “Heronjtë e Hararesë”. Nga kjo pikë e lartë, varri i tij shikon mbi vendin që, për dekada të tëra ishte i pandashëm nga njeriu në krye të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG