Lidhje

E ardhmja e mundjes në Olimpike


Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi më 12 shkurt se, duke filluar nga garat e 2020, do të eliminonte nga Olimpiket një ndër sportet që themeluan traditën olimpike - mundjen. Vota është paraprake dhe ka zgjuar një mobilizim ndërkombëtar për anulimin e saj. Për të kuptuar se si u mor vendimi dhe t’u njohur me përpjekjet që po bëhen për të garantuar të ardhmen olimpike të mundjes, kolegia Ardita Simiçia bisedoi me një ndër legjendat amerikane të këtij sporti.


E ardhmja e mundjes në olimpike
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:12 0:00

Trajneri Wade Schalles mban edhe sot e kësaj dite rekordin botëror Guiness për numrin më të madh të fitoreve në përgjithësi dhe fitoreve me tuç ndër mundësit amatorë. Fitues i titullit kampion në 15 konkurrime të ndryshme kombëtare dhe i një numër titujsh ndërkombëtarë, Wade Schalles nuk është i kursyer në opinione. Mundja amerikane është sot më mirë se kurrë, shprehet ai, por nuk ka garanci për të ardhmen e mundjes në Olimpike:

“A do të arrijmë të kemi mundje në Lojërat Olimpike të 2020 apo 2024, nuk ndjehem aq i sigurtë sa të vë bast. Mendoj se jemi në rrezik”.

Olimpiket pa mundjen, janë si peshku pa ujë, shprehet zoti Schalles. Mundja është në themelin e Garave Olimpike dhe së bashku me atletikën krijuan traditën e lashtë olimpike. Mundja është emëruesi i përbashkët i shumë arritjeve të Amerikës, thotë trajneri: Më shumë presidentë amerikanë janë marrë me mundje se me çdo sport tjetër. Më shumë astronautë që kanë shkelur në Hënë kanë bërë mundje se çdo sport tjetër. Dhe, sipas një ankete të revistës US News and World Report, nëse ke bërë mundje, je në rrugën drejt suksesit në biznes: më shumë drejtues të 500 kompanive më të mëdha amerikane kanë bërë mundje se çdo sport tjetër. Mbi të gjitha, mundja është një aktivitet sportiv që ndërthur tiparet më të mira të shpirtit njerëzor thotë trajneri:

“Mundja u mëson fëmijëve cilësitë më të mira të njerëzimit: ndershmërinë, integritetin, punën, disiplinën, këmbënguljen. Futbolli, basketbolli, bejzbolli janë të gjitha sporte të mrekullueshme, por ato që të mëson mundja janë të pakrahasueshme. Nëse je marrë me mundje, çdo gjë tjetër në jetë e përballon lehtë”.

Është ndër sportet e ralla me një përfaqësim që sfidon dallimet kulturore, racore e gjinore. Nuk është më loja e Perëndive të Olimpit, sot mundja ka krijuar një traditë të pasur edhe në vendet myslimane si Irani që është ndër pretendentët më të fortë në sport. Për vende me traditë modeste në konkurrimet sportive ndërkombëtare si Shqipëria, mundja ka ofruar një shans të rrallë për paraqitje dinjitoze në arenën evropiane e globale.

Eljaz Guri, ish-mundës i njohur i Vllaznisë dhe babai i kampionit botëror të mundjes Elis Guri që konkuron për Bullgarinë, shprehet se mundja është sinonim i vetë evolimit të njerëzimit:

“I bëj thirrje të gjithë Evropës dhe Shqipërisë të lobojnë për mundjen. Mundja greko-romake ka lindur përnjëherë me njeriun”.

Shqipëria duhet të veprojë, thotë zoti Guri, për të ruajtur një traditë të vjetër të sportit shqiptar:

“Para 100 e sa vjetësh mundja shqiptare ka pasur kampionë bote. Një korçar, në Amerikë ka qenë kampion bote. Për mua, mos me kenë mundja në Olimpiadë, Olimpiadë s’ka”.

Por nëse nuk është në diskutim vlera e mundjes si sport dhe roli i saj në traditën ndërkombëtare sportive, si arritëm në këtë pikë? Federata Ndërkombëtare e Mundjes FILA, shprehet trajneri Wade Schalles, injoroi një realitet të pamohueshëm, gjë që i kushtoi rëndë:

“E humbën pjesëmarrjen kryesisht pasi u treguam arrogantë dhe nuk donim të ndiqnim sugjerimet e Komitetit Olimpik. Menduam se ishim imunë. Fakti është që nuk jemi aq të rëndësishëm sa ç’menduam. Gjërat duhet të ndryshojnë”.

Prej kohësh Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kërkuar që sportet pjesëmarrëse në Olimpike të justifikojnë praninë e tyre, të tregojnë me shifra konkrete spektatorësh se sa interes tërheqin, ose ndryshe të zëvendësohen nga sporte të reja. Të mos harrojmë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është organizatë fitim-prurëse dhe në analizën përfundimtare suksesi varet nga të ardhurat që sjell sporti. Trajneri Schalles thotë se prej vitesh mundja nuk ka arritur të sigurojë shikues televizivë, pasi nuk ka arritur t’u përshtatet shijeve të spektatorit.

“A duhet të ndryshojmë? Pa tjetër! Futbolli ndryshon, bejzbolli ndryshon; ndryshojnë uniformat, ndryshojnë rregullat, përpiqen ta bëjnë lojën më tërheqëse për shikuesin”. “Sot në mundje nuk arrin të realizosh gjysmën e taktikave ngaqë konkurentët janë të mbuluar në djersë dhe u rrëshqasin duart. Kjo rezulton në pikavarazh të ulët gjë që vret entuziazmin e spektatorit. Duhet të ndryshojmë uniformat, të kemi uniforma me mëngë të gjata, duhet ta bëjmë mundjen më tërheqëse për syrin. Kemi trupat më të bukur në arenat sportive, duhet të shesim bukurinë fizike të konkurrentëve”.

Propozimet e trajnerit Schalles mund të duken shumë radikale për dashamirësit e mundjes që duan ruajtjen e traditës. Por Federata Ndërkombëtare e Mundjes ka dalë tani me flamurin e ndryshimit. Pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, një cunami dorëheqjesh e përjashtimesh përfshinë postet drejtuese të Federatës. Kriza aktuale ka krijuar një aleancë të pazakontë për presion e grumbullim fondesh mes amerikanëve, rusëve dhe iranianëve që mbizotërojnë këtë sport në konkurrentë e medalje.

Priten edhe ndryshime të tjera: deri më sot FILA nuk ka arritur të ketë asnjë mundës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe madje asnjë simpatizant që të mbrojë interesat e sportit - një gabim i pafalshëm në sytë e komunitetit të mundjes. Fakti është që në konkurrimet e sotme globale nuk vlen vetëm aftësia fizike, por edhe lobizmi dhe paraja. Një mësim me vlerë për FILA-n.

Federata Ndërkombëtare e Mundjes është shprehur e gatshme të bëjë ç’është e mundur e të dalë para Komitetit Olimpik Ndërkombëtar “duke u zvarritur”, siç shprehet trajneri Schalles, me shpresën se do të ketë anulim të vendimit. Siç duket ka ardhur koha që mundja të zbresë nga piedestali i lashtësisë e të rishfaqet si një sport i shekullit të XXI.
XS
SM
MD
LG