Lidhje

Mustafaj: Mekanizmat brenda Partisë Demokratike nuk funksionojnë


Mustafaj: Mekanizmat brenda Partisë Demokratike nuk funksionojnë
Mustafaj: Mekanizmat brenda Partisë Demokratike nuk funksionojnë

Pak ditë më parë PD mblodhi këshillin kombëtar për të diskutuar përgatitjet për zgjedhje. Anëtari i këtij këshilli Besnik Mustafaj paraqiti në takim një memorandum, për reformimin dhe modernizimin e partisë demokratike. Zoti Mustafaj i tha një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj sipas jush, si është gjendja sot në Partinë Demokratike?

Besnik Mustafaj: Fakti që unë kasha një shqetësim aq të madh sa të detyrohesha si anëtar i këtij Këshilli të shkruaja një memorandum për të kërkuar një reformë të thellë do të thotë që brenda Partisë Demokratike nga pikëpamja organizative ka probleme shumë të mëdha që cënojnë cilësinë e ekzistencës dhe të funksionimit të saj si parti. Këtu gjërat janë shumë të qarta për mua dhe për një masë të madhe shqiptarësh dhe sidomos ne demokratët jemi shumë të shqetësuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, memorandum që ju paraqitët siguroi një mbështetje shumë të vogël brenda partisë, mori vetëm dy vota. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Besnik Mustafaj: Ai nuk ishte një dokument që duhej hedhur në vote për mendimin tim, për dy arsye: e para sepse aty nuk ishte një mocion mosbesimi që të hidhej në votë dhe së dyti unë nuk doja që kolegët e Këshillit Kombëtar t’i vija në detyrimin për të zgjedhur mes meje dhe kryetarit të partisë çka nuk ishte synimi im sepse mënyra e paraqitjes nga unë e problematikës nuk synonte të vendoste një duel midis meje dhe kryetarit të partisë. Në këtë kuptim, dy veta, apo më shumë apo më pak, nuk është kjo kryesorja. Për mua një fitore e rëndësishme u arrit në Partinë Demokratike ditën e dielë me memorandumin tim, se për herë të pare në historinë e kësaj partie paraqitet një mendim ndryshe dhe ishte një nga katër pikat e memorandumit tim, që të legjitimohet, t’i hapet hapësira e nevojshme mendimit ndryshe dhe ky mendim ndryshe u shfaq dhe nuk nuk u reagua me nervozizëm nga kryetari i partisë çka hapi perspektivën. Për mua është shumë e rëndësishme që të hapet perspektiva e reformimit të thellë të partisë dhe reformimi i thellë i partisë nuk bëhet dot pa debat brenda partisë.

Zëri i Amerikës: Ju u shprehët se mekanizmat brenda Partisë Demokratike nuk funksionojnë. Pse është kjo sipas jush, pse nuk kanë funksionuar ato për një kohë kaq të gjatë?

Besnik Mustafaj: Për mua nuk kanë funksionuar për arsyen e thjeshtë se ka një nënvleftësim të partisë nga kryetari i partisë, çka e thosha në një mënyrë të qartë në memorandumin tim kur flisja për distancën e krijuar mes kryetarit të partisë dhe partisë nëpërmjet asgjësimit të strukturave të rëndësishme politike siç është Këshilli Kombëtar që është forumi më i rëndësishëm i partisë midis dy kongreseve, të kryesisë, të sekretariatit, të nënkryetarit të partisë, pra mbajtja në këmbë e personaliteteve apo e strukturave të paligjshme nga pikëpamja statutore ka bërë asgjësimin e strukturave të ligjshme. Në këtë kuptim kjo ka qenë një thjeshtësi ndoshta në pamjen e pare për kryetarin e partisë për ta qeverisur vendin se nuk i është nënshtruar gjykimit të partisë por nga ana tjetër i ka bërë një dëm të madh shumë Partisë Demokratike, por unë e them edhe një herë se u ndjeva i inkurajuar në nismën time politike duke pasur parasysh se u caktua një lloj kalendari për reformimin e thellë të partisë dhe ky kalendar fillon me zgjedhjet e 8 majit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, unë dua të sjell në këtë debat edhe ligjin e zgjedhjeve që është miratuar në Shqipëri me konsensusin e të dyja partive kryesore politike, një ligj që sipas shumë analistëve u ka dhënë autoritet të madh kryetarëve të partive për të zgjedhur kandidatët e partisë për deputetë. A mendoni se të paktën kjo pikë e ligjit zgjedhor që ka të bëjë me këtë çështje duhet ndryshuar, pasi mendimi i analistëve është se kjo e dëmton demokratizimin e partive dhe u jep shumë pushtet kryetarëve të partive?

Besnik Mustafaj : Ka dy gjëra këtu: e para që unë kam lehtësinë të them “po ky ishte një ligj i keq, ishte një ndryshim kushtetues i dëmshëm për demokracinë e vendit”, sepse kam votuar kundër. Asokohe unë isha deputet dhe kam votuar me ndërgjegje kundër pasi kam pasur disa seanca debate brenda grupit parlamentar me kryetarin e partisë dhe me kolegë të tjerë ku unë mbrojta pikëpamjen time, por nga ana tjetër nuk është se ky ligj në vetvete i favorizon kryetarët, sepse përveç ligjit çdo parti dhe në rastin konkret Partia Demokratike ka statutin e vet dhe statuti kërkon që kandidatët për deputetë të miratohen në mënyrë të detyrueshme brenda këshillit kombëtar ku edhe ekziston mundësia të ndryshohen. Pra në këtë kuptim kjo fuqi e kryetarëve dhe kjo ishte një marrëveshje që nuk i bën nder të madh në asnjë kuptim as Berishës, as Ramës, kjo ishte një marëveshje mes Berishës dhe Ramës për të arritur në këtë formë ligji. Por unë mendoj se cënimi i demokracisë, nuk vjen thjesht për shkak të ligjit, vjen për disa avantazhe që u jep ligji, por kryesorja vjen për dëmin që i shkakton demokracisë permes cënimit të demokracisë të vetë partive politike. Unë e kam thënë edhe në memorandumin tim se një parti e angazhuar të vendosë shtetin ligjor duhet të dëshmojë se vetë brenda familjes së saj politike respekton ligjin. Nuk respektohet ligji në këtë nivel, atëherë pra statuti i partisë, i cili është kushtetuta e partisë.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe siç e kemi dëgjuar edhe gjithë këto ditë, edhe sot OSBE-ja u bëri thirrje partive në Shqipëri që të paraqesin kandidatët për komisionet zonale, të paraqesin gjithë dokumentacionin për këto zgjedhje pasi nuk ka më shumë kohë. A jeni I shqetësuar se kjo situatë mund të krijojë probleme të reja që mund të lindin me zgjedhjet vendore, në një kohë kur ende nuk janë zgjidhur problemet me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme në Shqipëri?

Besnik Mustafaj: Në rastin e mbledhjes së Këshillit të Partisë Demokratike, unë thashë se zgjedhjet e 8 majit janë një test për Partinë Demokratike, për vullnetin e saj politik për t’i fituar por test edhe i kapaciteteve të saj për t’i organizuar në mënyrë që të jenë të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim unë si democrat dhe si qytetar i këtij vendi ndjehem dyfish i shqetësuar për ritmet me të cilat po ecet për përgatitjen e zgjedhjeve. Dhe unë sigurisht që jam i shqetësuar, sigurisht që ende besoj se janë të gjitha mundësitë që të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme por ende vazhdoj të jem i shqetësuar sepse nuk shoh që angazhim të plotë të forcave politike që do të mund t’i përgjigjeshin nevojave të ligjit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG