Lidhje

Muzeu Kombëtar i Shisheve


Deri në fillim të shekullit të 20, shishet e xhamit – për farmacitë, punishtet e birrarive dhe baxhot – prodhoheshin me dorë. Kërkesat në vitet 1800 ishin aq të mëdha saqë prodhimi i shisheve u bë industria kryesore në Shtetet e Bashkuara. Muzeu Kombëtar i Shisheve në Saratoga County në Nju Jork ruan pikërisht këtë histori.

Këto shishe likeri, të quajtura Dutch Onions për shkak të origjinës dhe formës së tyre, janë më të vjetrat në koleksionin e Muzeun Kombëtar të Shisheve. Ato janë bërë me duar në fillim të viteve 1700. Shishet e qumështit janë më të fundit, të prodhuara nga teknika moderne pak vite më parë.

Shumica e më shumë se 2,000 shisheve në ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme janë bërë me mjete artizanale në vitet 1800. Shishja Nr. 32 e koleksionit është prodhuar në fillim të viteve 1890. Gary Moeller është drejtor i muzeut.

“Kjo është shishja e parë e Coca Colës. Kompania e parë që e prodhoi atë ishte Biedenharn Candy në Vicksburg, të Mississippit.”

Disa shishe mbajnë emrat e prodhuesve, duke të dhënë idenë e vlerës së riciklimit në ato kohë.

“Prodhimi i shisheve ishte i kushtueshëm. Kështu që ata i kërkonin mbrapsht për t’i përdorur përsëri .”

Disa shishe këtu nuk kanë mbajtur ndonjëherë diçka brenda. Ato janë prodhuar për koleksione dhe shpesh mbajnë emrin e ndonjë politikani apo njeriu të famshëm.

“Këto shishe i përkasin fushatës presidenciale të vitit 1972. Ajo me elefant ka Richard Nixon në njërën anë dhe Spiro T. Agnew që ishte nën president, në anën tjetër. Ato të dyja në formë gomari janë për partinë demokrate.”

Ndërtesa historike ku ndodhet muzeu është në një zonë që u gjallërua në vitet 1800, me shumë burime të njohura të ujrave termale. Tani aty kanë mbetur vetëm dy.

“Faktikisht në vitet 1800 në rrugën përballë muzeut ishte një nga hotelet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara: Sans Souci Hotel. Dhe ky hotel kishte katër burime termale në të”.

Moeller thotë se gjatë kulmit të popullaritetit, miliona shishe me ujra termalë prodhoheshin çdo vit në Saratoga County dhe dërgoheshin në mbarë botën. Shishet prodhoheshin ekskluzivisht me dorë dhe fuqinë e mushkrive derisa u shpikën makinat automatike në vitin 1903.

Peter Nash, që ka ardhur me djalin e tij ka qënë koleksionist shishesh për vite me rradhë.

“Kam një bar të kohëve të vjetra në Boston. Shumica e shisheve që kam janë të uiskit dhe rumit nga periudha e viteve 1910 dhe 1920. Jam përpjekur të grumbulloj ato që janë përdorur në bare në ato kohëra.”

Kjo është vizita e parë për William.

“U çudita që pashë këto shishe dhe disa nga të voglat e të mëdhatë. Më pëlqejnë të voglat dhe një e madhe e trashë atje tej.”

Vizitorët mund të shohin gjithashtu veglat e dorës dhe tubat e përdorur për të skalitur shishet dhe disa skulptura.

“Zakonisht njerëzit vërtiten në muze pa ditur fare për muzeun dhe çfarë reklamohet këtu. Disa nga këta njerëz qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe kur largohen thonë se muzeu është shumë i veçantë.”

Moeller thotë se ata largohen me një vlerësim të ri për këto artifakte të rëndësishme por që shpesh janë neglizhuar.
XS
SM
MD
LG