Lidhje

Nafta dhe ambicjet e kurdëve të Irakut


Njoftimi i Ankarasë se nafta që kontrollohet nga Qeveria Rajonale e Kurdistanit në Irak do të shitet në tregjet ndërkombëtare duke kaluar përmes Turqisë, mund të shkaktojë komplikime diplomatike globale.

Që nga dhjetori nafta ka rrjedhur nga rajoni gjysmë-autonom i Kurdistanit për në stacionin turk të naftës në Ceyhan.

Deri tani nafta mbahej aty për magazinim. Por tani që terminali është thuajse i mbushur plot, ministrat nga Ankaraja dhe Qeveria Rajonale e Kurdistanit thonë se parashikojnë që këtë muaj të fillojnë shitjet e para.

Rreth 100 mijë fuçi në ditë nga nafta kurde po eksportohen në Turqi, një sasi që sipas analistëve, pritet të rritet.

Opinionisti Kadri Gurse i gazetës turke Milliyet paralajmëron se shitjet mund të kenë ndikim të konsiderueshëm.

"Ky është një hap përpara për të fuqizuar pavarësinë e Qeverisë Rajonale të Kurdistanita, gjë që vë në pikëpyetje integritetin e Irakut të ditëve tona. Nafta është faktori që mban të bashkuar Irakun e sotëm”.

Analistët rajonalë thonë se shitja e naftës shihet si fuqizim i pozitës së kurdëve të Irakut. Me marrëveshjet energjetike, kurdët e Irakut po bashkëpunojnë më ngusht me Ankaranë, gjë që pritet të sjellë lidhje më të forta ekonomike, politike si dhe një hap më pranë drejt pavarësisë. Turqia është e përfshirë edhe në një numër projektesh zhvillimi në këtë rajon kurd, si ndërtimi i aeroportit, hoteleve e rrugëve, e deri tek supermarketet.

Sinan Ulgen, studiues në Institutin Carnegie në Bruksel, thotë se edhe Ankaraja po përfiton:

"Do të ishte një sukses i mirëpritur për politikën e jashtme turke. Ky zhvillon ndikon tek politika energjetike, ajo e sigurisë së furnizimeve dhe pavarësia nga importet nga vende të tjera”.

Megjithatë, Emre Iseri, politolog dhe ekspert i energjisë në Universitetin Yasar në Izmir thotë se një bashkëpunim i tillë kërcënon të tendosë marrëdhëniet e Ankarasë me Uashingtonin:

"Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga këto përpjekje të kurdëve drejt pavarësisë. Si rezultat edhe Turqia do të ketë probleme me Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara, në një farë mënyrë po fajësojnë Turqinë, duke thënë “ju po mbështesni pavarësinë e këtij rajoni nga Iraku”.

Uashingtoni ka kritikuar disa herë Ankaranë për bashkëpunimin energjetik me rajonin, pa përfshirjen e Bagdatit. Qeveria qendrore e Irakut këmbëngul se është autoriteti i vetëm, sipas kushtetutës irakiane, për të shpërndarë dhe shitur rezervat energjetike të vendit.

Qeveria e zotit Maliki paralajmëron se të drejtat e kurdëve mbi 17% të rezervave të naftës varen nga detyrimi për të shitur naftën përmes kompanive shtetërore irakiane. Megjithatë, kurdët nuk kanë përfillur paralajmërimet e Bagdatit dhe i kanë shitur Turqisë miliona fuçi nafte.

Ekspertët rajonalë thonë se rajoni kurd i Irakut – një ndër rajonet më të sigurta dhe më të qëndrueshme në Irak për zhvillim biznesi, pritet të rrisë të ardhurat nga nafta me shitjen e parë të naftës këtë muaj.
XS
SM
MD
LG