Lidhje

Takimi i Lisbonës pritet të ripërcaktojë misionin e NATO-s


Takimi i Lisbonës pritet të ripërcaktojë misionin e NATO-s
Takimi i Lisbonës pritet të ripërcaktojë misionin e NATO-s

Udhëheqësit botërorë që do të mblidhen këtë javë në Lisbonë për takimin e NATO-s, pritet të diskutojnë mbi të ardhmen e Aleancës, rolin e saj në botë dhe marrëdhëniet me Rusinë. Aleanca po përpiqet të ripërcaktojë misionin e saj, ndërsa hyn në dekadën e dytë të Shekullit 21.

Ushtarët e NATO-s në Afghanistan. Aleanca më e suksesshme ushtarake e botës e ka lidhur reputacionin e saj me këtë konflikt. Forca Ndërkombëtare e Sigurisë e NATO-s, ose ISAF, ka më tepër se 130 mijë trupa nga të 28 vendet anëtare. Shumica e tyre janë amerikanë dhe Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Londrës, thotë se e ardhmja e NATO-s varet nga udhëheqja amerikane.

"Në se presidenti amerikan vendos vitin e ardhshëm se operacioni ka patur sukses të mjaftueshëm për të vazhduar, atëherë unë mendooj se shumica e vendeve të Aleancës do të mbeten në terren,"- thotë ai.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë për dënimin kohët e fundit të sulmeve të NATO-s ndaj militantëve të dyshuar. Presidenti afgan Hamid Karzai i ka dënuar sulmet gjatë natës, për të cilat ai thotë se po minojnë mbështetjen afgane për luftën. Në takimin e Lisbonës po ashtu mund të diskutohet një plan për t’i dhënë fund misionit luftarak në Afganistan deri në vitin 2014.

Në rendin e ditës është edhe Rusia. Presidenti rus Dmitri Medvedev do të marrë pjesë në takim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s thotë se Rusia dhe NATO do të bashkëpunojnë në Afganistan.

"Unë besoj se Rusia ka të njëjtin mendim me ne, se ka ardhur koha të mos shqetësohemi më për njëri-tjetrin. Ka ardhur koha të punojmë së bashku dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë"- thotë zoti Rasmusen.

Marrëdhënia e Rusisë me NATO-n filluan në vitin 1989, pas rënies së Murit të Berlinit. Ministri i Jashtëm sovjetik i asaj kohe, Eduard Shevarnaxe, kreu vizitën historike në selinë e NATO-s.

Por marrëdhënia e Rusisë me NATO-n ka qenë me probleme pjesën më të madhe të kohës, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjerimin e Aleancës dhe mbrojtjen nga raketat.

Oksana Antonenko, e Institutit për Sigurinë Ndërkombëtare, thotë se marrëdhënia mes tyre do të ripërcaktohet:

"Administrata Obama është e përkushtuar shumë seriozisht drejt një marrëdhënieje të re cilësore me Rusinë. Unë mendoj se gjërat do të ndryshojnë."

Edhe NATO është duke ndryshuar. Koncepti i saj i ri i Strategjisë synon ta pozicionojë Aleancën në shekullin e 21-të dhe thekson si përparësi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen nga raketat.

"Ne nuk do t’i bindim rusët të pranojnë mbrojtjen nga raketat, por do të përparojmë në çështjen e arritjes së një marrëveshjeje në parim, se dislokimi i parë mund të realizohet,"- thotë zoti Eyal.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s thotë se takimi i Lisbonës do të jetë historik: se ai do të tregojë për një Aleancë të re dhe të modernizuar. Ndërsa kalon nga një strukturë ushtarake në një qëndrim më mbrojtës, sytë do të jenë tek Afganistani. Dështimi atje, ose perceptimi i dobësisë, mund ta dëmtojë NATO-n dhe aspiratën e saj në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG