Lidhje

NATO rikonfirmon mbështetjen ndaj Turqisë


NATO-ja rikonfirmoi angazhimin e saj ndaj Turqisë, si anëtare me vlerë e aleancës 28 vendeshe, në përpjekje për të zbutur shqetësimet e Ankarasë se ajo mund të mos ketë mbështetjen e plotë të Perëndimit.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha sot në një deklaratë se Turqia është një aleate e çmuar, që jep kontribut të ndjeshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s. Turqia, tha ajo, merr pjesë plotësisht në vendimet me bazë konsensusi të aleancës, tani që NATO-ja përballet me sfidat të mëdha të sigurisë, më të mëdhatë në një gjeneratë.

Zëdhënësja e bëri deklaratën në përgjigje të "njoftimeve spekulative të shtypit" rreth grushtit të dështuar të shtetit muajin e kaluar në Turqi dhe rreth anëtarësisë së Ankarasë në NATO. "NATO-ja – tha ajo, - i sheh me rëndësi kontributet e vazhdueshme të Turqisë dhe Turqia mund të mbështetet te solidariteti dhe përkrahja e NATO-s”.

Deklarata vjen një ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Peterburg të Rusisë. Takimi u bë shkak për hamendje se marrëdhëniet e forta të Turqisë me Perëndimin mund të ishin dobësuar.

XS
SM
MD
LG