Lidhje

Ndahet nga jeta Vaclav Havel


Ndahet nga jeta Vaclav Havel
Ndahet nga jeta Vaclav Havel

Vaclav Havel, shkrimtari dizident dhe ish presidenti çek vdiq në moshën 75 vjeçare.

Zoti Havel ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vendin e tij pas Revolucionit Kadife pa dhunë që i dha fund katër dekadave shtypjeje në vend.

Në një deklaratë sot, Presidenti amerikan Barack Obama vlerësoi “udhëheqjen morale” të zotit Havel, duke thënë se ai “jetoi me ndjenjën e shpresës”. Ai tha se qëndresa paqësore e udhëheqësit çek “tronditi themelet e një perandorie” dhe “nxorri në pah zbrazëtinë e një ideologjie shtypëse komuniste”.

Në Pragë, ku flamuj të zinj valëviteshin mbi kështjellën e Pragës, pallati presidencial, ndërsa qytetarët çekë ndezën qirinj tek monumenti i Revolucionit të Kadifenjtë.

Si president, ai drejtoi tranzicionin e Çekosllovakisë në demokraci dhe ekonominë e tregut të lirë.

Havel pinte duhan rregullisht dhe pati probleme kronike të frymëmarrjes që datonin që nga vitet në burgjet e komunizmit.

Ai u shtrua në spital në Pragë më 12 janar të vitit 2009, me një inflamacion të papërcaktuar dhe kishte probleme të rrugëve të frymëmarrjes pas një operacioni në fyt.

Havel u largua nga posti në vitin 2003, 10 vjet pasi Çekosllovakia u nda në Republikën Çeke dhe Sllovakinë dhe vetëm disa muaj para se të dyja vendet të hynin në Bashkimin Evropian.

Atij i njihet merita për hedhjen e bazave që e çuan në anëtarësimin e vendit në bllokun me 27 anëtar dhe ishte president Republika Çeke u pranua në Nato në vitin 1999.

I drojtur dhe i dhënë pas librave, Havel u bë simboli i forcës së njerëzve për të rrëzuar në mënyrë paqësore regjimet totalitare.

“E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”, ishte një nga thëniet e tij të famshme.

Havel bëri emër si shkrimtar fillimisht pas pushtimit sovjetik të vitit 1968 që ndërpreu reformat e Alexander Dubcek dhe komunistëve të tjerë liberalë në Pragë.

Dramat e tij u ndaluan pasi konservatorët e drejtuar nga Moska nuhatën rebelim në to. Por Havel vazhdoi të shkruante, duke krijuar një numër esesh që qëndrojnë përkrah atyre të disidentit sovjetik Andrei Sakharov si analizat më të mprehta dhe më elokuente të asaj çfarë komunizmi bëri për shoqërinë dhe individët.

Havel ishte kandidat disa herë për çmimin Nobel të Paqes dhe mori një numër çmimesh për përpjekjet e tij në mbrojtje të të shtypurve që nga Darfuri e deri në Birmani.

Ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil amerikan nga presidenti George Bush si një nga heronjë më të mëdhenj të lirisë.

Zoti Havel ka thënë se arritja për të cilën ndjehej më krenar si president ishte shpërbërja e Paktit të Varshavës – aleanca ushtarake e drejtuar nga Moska që vazhdoi deri në vitin 1991.

XS
SM
MD
LG