Koreja e Jugut thotë se bisedimet ushtarake dyditëshe me Veriun u ndërprenë pa marrëveshje, duke shuar shpresat për një shkrirje në marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve.
Një zyrtar i ministrisë koreanojugore të mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se sot pasdite përfaqësuesi i Veriut u largua nga bisedimet që po zhvilloheshin në fshatin Panmunxhon.
Zyrtarët nuk dhanë shpjegime për ndërprerjen e bisedimeve. Por ata thanë se Veriu refuzoi të pranonte dy kushte të paraqitura nga Koreja e Jugut për një takim të nivelit më të lartë.
Koreja e Jugut ngul këmbë që Veriu fillimisht të kërkojë ndjesë për bombardimin e ishullit Jonpjong më 23 nëntor dhe të pranojë përgjegjësinë për fundosjen e një anijeje të Jugut në mars të vitit të kaluar.