Lidhje

Ndikimi i kufizimit të udhëtimeve tek turizmi në SHBA


Turizmi i të huajve në Shtetet e Bashkuara, që mbështet miliona vende pune, është ngadalësuar, ndoshta për arsyen se presidenti Donald Trump kërkoi kufizimet e udhëtimeve nga disa vende me shumicë myslimane. Kërkimet në internet për fluturimet në Shtetet e Bashkuara janë ulur në shumicën e vendeve të mëdha, dhe jo vetëm në ato të goditura nga kufizimet. Disa ekspertë të udhëtimit thonë se përpjekjet e administratës Trump për të kufizuar emigracionin kanë bërë që disa turistë dhe studentë të huaj të tregohen më të matur për të vizituar Shtetet e Bashkuara.

Kufizimi i udhëtimeve shkaktoi protesta, mbulime kritike në media dhe një mori padish ligjore.

Një peticion grumbulloi firmat e mijëra përkrahësve të mësuesit britanik të matematikës, Juhel Miah, i cili u ndalua të hipte në një avion me destinacion Shtetet e Bashkuara ndërsa shoqëronte nxënës britanikë në një ekskursion për në Amerikë. Ai foli përmes Skype-it:

“Mendoj vërtet se u vura në shënjestër. A ndodhi kjo për shkak të emrit tim? A ndodhi për shkak të paraqitjes sime, për shkak të ngjyrës së lëkurës? Nuk e di,”- thotë ai.

Ai është një nga mijëra njerëzit e konfuzuar nga kufizimet e reja dhe mendon se përvoja si ajo e tij mund të sjellin një numër më të vogël turistësh dhe studentësh britanikë, që do të duan të vizitojnë Shtetet e Bashkuara.

“Mësues të tjerë më kanë thënë se, përsa kohë që kjo situatë është e pasigurtë, nuk do të jenë të gatshëm të shoqërojnë nxënësit e tyre në udhëtime në Amerikë”, thotë zoti Miah.

Ekspertë të fluturimeve thonë se shqetësimet rreth mikëpritjes në Shtetet e Bashkuara mund të dëmtojnë ardhjen e vizitorëve nga të gjitha vendet. Këto shqetësime vijnë në një kohë kur dollari i forcuar e bën Amerikën një destinacion më të shtrenjtë për vizitorët e huaj dhe ndërsa vendet e tjera po shtojnë përpjekjet për të tërhequr turistët.

Turizmi është një industri shumë konkurruese, thotë Patricia Rojas-Ungar me Shoqatën Amerikane të Udhëtimeve:

“Udhëtarët kanë një zgjidhje dhe nëse ndjejnë ndonjë shqetësim apo ankth rreth destinacionit ku duan të udhëtojnë, thjesht mund të zgjedhin një vend tjetër. ”

Nëse vizitorët shkojnë diku tjetër, kjo mund të dëmtojë një industri që është e rëndësishme për të gjitha shtetet amerikane.

“Udhëtimi dhe turizmi janë një nxitës i rëndësishëm e ekonomisë amerikane. Është një industri 2.1 trilion dollarëshe, që mbështet 15 milionë vende pune”, thotë Patricia.

Ajo shpreson se administrata Trump do t’i bëjë më të qarta politikat në të ardhmen dhe do të punojë për të siguruar një mikpritje më të ngrohtë për vizitorët.

Ndërkohë, mësuesi britanik Juhel Miah ka marrë inkurajime përmes letrave dhe email-ave nga amerikanë, përfshirë një prej një nxënësi të klasës së pestë në Atlanta. Ai thotë, se përsëri mezi pret t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG