Lidhje

Ndotja nga centralet elektrike me qymyr


Në Shtetet e Bashkuara, propozimi i rregullave të reja për të pakësuar ndotjet nga 600 centralet elektrike me qymyr që ka vendi, po nxisin një debat gjithnjë edhe më të fortë. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, e ngarkuar për të hartuar dhe zbatuar planin në fjalë, deri tani ka marrë më shumë se 300 mijë letra. Mbi një mijë njerëz kanë shfaqur dëshirën të dëshmojnë personalisht pranë autoriteteve për këtë çështje.

Vite nxjerrje qymyri nga minierat në shtetin e Virxhinias Perëndimore kanë lënë gjurmë në mjedis dhe tek njerëzit, thotë banorja Regina Hendriks.

“Këtu ka rrjedhje merkuri, seleniumi dhe helme të tjera, disa prej tyre të përjetëshme.”

Ajo ka ardhur në Uashington për të ngritur zërin. Po ashtu edhe kimistja nga Virxhinia Pamela Ellis me vajzat e saj binjake Anya dhe Zipporah. Ato vuajnë nga azma e shkaktuar nga ndotjet.

“Jetoj me këtë vështirësi. Nuk dua që fëmijët e tjerë të vuajnë nga kjo në të ardhmen pasi ne nuk po kujdesemi për planetin tonë.”

Centralet me qymyr prodhojnë afro 40 përqind të elektricitetit në Amerikë. Po ashtu, ato janë burimi më i madh i ndotjes me dyoksid karboni. Rregulli i ri kërkon uljen e nivelit ndotëse me 30 përqind, nga niveli i vitit 2005, por i lejon shtetet të hartojnë planet e tyre.

Jeff Holmstead, ish zyrtar me agjencinë për mjedisin, përfaqëson një grup të industrisë. Ai thotë se rregulli i propozuar do të mbyllë centralet, do të eleminojë vendet e punës dhe do të rrisë çimet e elektricitetit.

“Është e rendësishme që të pakësojmë çlirimin e gazeve të dëmshme, por mendoj se duhet të jemi të qartë për pasojat. Kjo do të ketë një kosto. Çmimi i energjisë do të rritet.”

Ai thotë se amerikanët do të sakrifikojnë një sistem elektrik nga i cili varen. Plani, thotë ai, po ashtu do të pengojë seriozisht përpjekjet për të pakësuar ndotjet klimatike. Nëntë shtete deri tani janë bashkuar në një çështje ligjore kundër rregullit të ri.

“Njerëzit do të shpenzojnë shumë kohë për ta kuptuar dhe komentuar këtë propozim. Dhe në fund, shanset janë të vogla për t’u vënë ndonjëherë në zbatim.”

John Coequyt ((PRON: COOK-it)) ka dëgjuar të njëjtin argument nga industria edhe më parë, por që ka dalë i gabuar. Ai është ekspert politikash me Klubin Sierra, grupi mjedisor më i vjetër dhe më i madh në vend.

“Çdo herë, agjencia për mjedisin dhe shtetet kanë gjetur mënyrën për t’i zbatuar këto standarte pa ndikuar negativisht në ekonomi. Rregullat e reja pastrojnë ajrin dhe mbrojnë shëndetin. Nuk ka arsye që ata të mos jenë të gjendje ta bëjnë përsëri.”

Ai pajtohet se një rregull i vetëm nuk do të zgjidhë problemin e klimës, duke shtuar se ky plan mund të sjellë gjëra të tjera.

“Plani do të çojë në një ulje të konsiderueshme të ndotjes nga karboni dhe kjo mund të bëhet thelbi i premtimit amerikan në botë. Kjo e ka lejuar administratën amerikane të përpiqet të bindë edhe Kinën dhe vendet e tjera të punojnë për uljen e ndotjes.”

Pritet që rregullat të finalizohen deri nga qershori i vitit të ardhëshëm.

XS
SM
MD
LG