Lidhje

Studim i ri mbi ndikimin e ndotjes në Kinë


Sipas një studimi të ri, smogu që shpesh mbulon Kinën shkaktohet pjesërisht nga fabrikat që furnizojnë pjesën tjetër të botës me këpucë, lodra, pajisje elektronike dhe prodhime të tjera. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona një pjesë e ndotjes së krijuar në Kinë eksportohet në vende të tjera.

Ndotja e rrezikshme e ajrit është bërë një gjë e zakonshme në shumë pjesë të Kinës. Makinat, kamionët dhe termocentralet janë kontribuesit kryesorë të ndotjes. Por duhet të merret parasysh edhe një faktor tjetër, thotë Steve Davis, studiues në Universitetin e Kalifornisë në Irvajn.

"Ndoshta çereku i ndotjes në Kinë që ju mund ta shikoni në fotografi ku shpesh shfaqen shumë njerëz që përdorin maskat, shkatohet nga mallrat e prodhuara për pjesë të tjera të botës."

Bota ka transferuar një sasi të madhe të prodhimeve të saj në Kinë. Në revistën The Proceedings of the National Academy of Sciences, zoti Davis dhe kolegët e tij gjetën se prodhimi i pajisjeve elektronike, këpucëve, lodrave dhe mallrave të tjera krijon një të katërtën e oksideve të azotit të cilat formojnë smogun dhe një të tretën e dioksidit të squfurit që është shkaktar i astmës.

Njëzet e një përqind e kësaj sasie të ndotjes shkaktohet nga prodhimet e mallrave që eksportohen në Shtetet e Bashkuara. Një pjesë e ndotjes shoqëron mallrat që transportohen përmes Oqeanit Paqësor. Kjo sasi e ndotjes është e mjaftueshme për të ndikuar në cilësinë e ajrit në Shtetet e Bashkuara, thotë studiuesi Steve Davis.

"Çereku i ndotjes së ajrit në brigjet përëndimore të Shteteve të Bashkuara lidhet jo vetëm me ndotjen e krijuar në Kinë, por edhe me ndotjen e shkaktuar nga eksportet kineze."

Studimi tregon se këta partnerë tregtarë shkëmbejnë më shumë se sa vetëm mallra dhe shërbime, thotë studiuesi Renyi Zhang i Universitetit Texas A & M.

"Sipas studimit Kina është duke luajtur një rol në ndotjen e ajrit në Shtetet e Bashkuara. Por, në të vërtetë edhe Shtetet e Bashkuara janë duke luajtur një rol në këtë drejtim sepse ne po eksportojmë tregtinë te kinezët."

Dhe sipas zotit Davis, kjo e vendos një pjesë të përgjegjësisë për ndotjen e ajrit në Kinë mbi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që blejnë mallra kineze.
XS
SM
MD
LG