Lidhje

Në Bengazi përsëriten thirrjet për dorëheqjen e Moamar Gadafit


Në Bengazi përsëriten thirrjet për dorëheqjen e Moamar Gadafit
Në Bengazi përsëriten thirrjet për dorëheqjen e Moamar Gadafit

Mijëra libianë kanë mbushur rrugët e qytetit lindor të Bengazit ku ata kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e udhëheqësit Moamar Gadafi.

Demonstratat në qytetin e dytë më të madh të Libisë nisën mbas lutjeve të së premtes. Disa protestues mbanin parrulla ku falenderonin Francën që vendosi të njohë udhëheqësit e opozitës.

Një agjenci lajmesh njoftoi se një avion luftarak libian kreu sulme nga ajri sot pranë portit të naftës në Ras Lanuf. Dje, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti, mbasi forcat pro Gadafit, ndërmorën sulme ajrore, tokësore e detare për të marrë kontrollin e qytetit.

Udhëheqja e kryengritësve bëri të ditur dje se dhe qyteti perëndimor i Zavijes, pranë kryeqytetit Tripoli, kishte rënë në duart e besnikëve të qeverisë.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thotë se Libia është përfshirë nga lufta civile, dhe se nga konflikti janë vrarë deri tani më shumë se 1 mijë njerëz dhe rreth 250 mijë libianë kanë lënë vendin.

Detaje të reja vijnë lidhur dhe me ndikimin ekonomik që ka trazira në Libi. Gjigandi francez i naftës Total tha sot se prodhimi i naftës libiane vazhdon të bjerë në mënyrë sistematike.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Total tha se niveli i mëparshëm ditor i prodhimit të naftës në Libi shënohej në rreth 1.6 milion fuçi, ndërsa tani prodhimi i naftës është rreth 200 mijë deri në 300 mijë fuçi në ditë.

XS
SM
MD
LG