Lidhje

Tiranë: Bamirësia në krizë dhe modeli i Nënë Terezës


Shqiptarja Nënë Tereza është tashmë një figurë e njohur e humanizmit botëror. Ajo vendosi edhe në Shqipëri misionin e motrave të saj për të ndihmuar të varfërit.

Por krenaria e shqiptarëve për këtë shenjtore të kohëve moderne nuk u shoqërua gjatë dy dekadave të fundit me veprime të ngjashme humanitare.

Shqipëri, bamirësia në krizë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:54 0:00

Studiuesit pohojnë se bamirësia sot është në krizë sot në Shqipëri. Po mbizotëron njeriu me pasuri, që mendon vetëm për vete. Humanizmi, solidariteti, vullnetarizmi dhe komuniteti u dobësuan gjatë tranzicionit.

Studiuesi dhe autori i shumë librave në këtë fushë, Gëzim Tushi, thotë se njerëzit në Shqipëri kanë ngritur mure rreth vetes dhe nuk duan t'ja dinë për të tjerët. Sipas tij, mbizotëron mosbesimi dhe ideja e viteve të komunizmit se shteti duhet të mendojë për të gjitha.

Në Shqipëri sot ka pak persona të pasur që kanë bërë bamirësi të dukshme.

Mosbesimi është i dyanshëm: dhuruesit dyshojnë nëse shoqatat i keqpërdorin paratë, por edhe shoqatat dyshojnë se ndoshta ato para janë të pista dhe vijnë nga korrupsioni, paligjshmëria dhe krimi.

Sociologu Zyhdi Dervishi thotë se bamirësia është një ndjenjë e konsoliduar e popullit shqiptar ndër shekuj, kur i mbijetoi luftërave dhe vuajtjeve.

Shqiptarët të frymëzuar nga feja dhe nga humanizmi, financonin jo vetëm për ushqimet e të varfëve, por edhe për mjekimet dhe shkollimet e tyre.

Skemat e mbrojtjes sociale në Shqipëri janë shumë të gjera; trajtohen mbi 80 mijë familje me ndihmë ekonomike, qindra persona me aftësi të kufizuara, por një pjesë e madhe kanë ende nevojë të ndihmohen me para dhe shërbime nga dhurimet private.

Zoti Tushi thotë se ende në shoqërinë shqiptare mungojnë njerëz që t'i ngjajnë sadopak Nënë Terezës.

Ashtu si ka përfaqësuesit e vet jeta akademike, jeta politike dhe administrative është koha të dalin edhe përfaqësues të jetës sociale, thotë ai, që të ndërtojnë modelet e bamirësisë thjesht duke ndjekur rrugën e Nënë Terezës.

Një pjesë e vogël jeton në pasuri të madhe, shtresa e mesme e ka siguruar jetesën, por një pjesë e madhe e shoqërisë është e varfër dhe e pambrojtur dhe ka nevoja jetike.

Në mënyrë paradoksale po ndodh që sa më shumë shtohen pasuritë e një pjese të shqiptarëve aq më shumë ulen kontributet e tyre për bamirësi dhe kundër varfërisë.

Profesor Dervishi thotë se pas rrëzimit të regjimit komunist shqiptarët dolën zbuluar pa një kulturë fetare të konsoliduar dhe sulmi ndaj vet shtetit solli anarki në shoqëri, e cila vazhdon edhe sot të tendoset përherë e më shumë dhe mosbesimi ndaj një tjetritështë shumë i madh.

Në Shqipëri ka disa raste të suksesshme organizimesh të bamirësive që mbledhin dhurime dhe i dërgojnë në shtresat në nevojë, por në këtë fushë ka patur edhe shumë abuzime me financime të brendshme dhe të jashtme.

Kjo ka bërë të humbet besimi, lidhjet dhe bashkëpunimi me organizatave joqeveritare dhe nismëtarëve të bamirësive.

Nga kjo gjendje, pohojnë studiuesit, mund të dilet vetëm duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, një figurë me besim, kurajo dhe sakrifica të mëdha.


XS
SM
MD
LG