Lidhje

Nënpresidenti i Venezuelës shpallet trafikant ndërkombëtar i drogës

  • Richard Green

Në bazë të aktit Kingpin, Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur zëvendës presidentin e Venezuelës si trafikant ndërkombëtarë të drogës.

Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve të hënën se Tareck Zaidan El Aissami Maddah ka kontrolluar aeroplanë dhe rrugët e trafikut të drogës, si dhe ka mbrojtur dhe ndihmuar trafikantët e lëndëve narkotike që veprojnë në Venezuelë.


El Aissami, i cili u emërua nënpresident i Venezuelës në fillim të muajit të kaluar, ka qenë ministër i brendshëm dhe i drejtësisë në vitet 2008 - 2012, dhe më pas guvernator i shtetit Aragua për pesë vitet e fundit.


Përveç akuzave për drogë, ai akuzohet se është përfshirë edhe në pastrimin e parave.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se për procesin kundër El Aissamit, i cili është zyrtari i rangut më të lartë i Venezuelës në shënjestër të sanksioneve, u deshën përgatitje shumëvjeçare dhe se ky hap nuk u ndërmor për shkak se kohët e fundit ai u bë zëvendës president.

Njoftimi pritet të shkaktojë një keqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Karakasit dhe Uashingtonit. Venezuela po përballet me një krizë ekonomike me inflacion treshifror, dhe me vështirësi në plotësimin e nevojave bazë


Qeveria e presidentit Nicolas Maduro, i cili erdhi në pushtet pas vdekjes së Hugo Chavezit, fajëson për vështirësitë financiare opozitën e brendshme politike dhe Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG