Një raport i ri në Shtetet e Bashkuara thotë se derdhja masive e naftës si ajo në Gjirin e Meksikës vitin e kaluar mund të ndodhë përsëri nëse nga industria e naftës dhe nga qeveria nuk ndërmerren reforma të rëndësishme.
Një komision presidencial që po heton rrjedhjen e naftës thotë se kompania BP dhe partnerët e saj Transocean dhe Halliburton ndërmorrën një seri vendimesh për shkurtimin e kostos çka rriti rreziqet që çuan në shpërthimin e platformës pluskuese të naftës.
Platforma Deepwater Horizon shpërtheu më 20 prill duke vrarë 11 punonjës dhe shkaktuar një rrjedhje nafte prej miliona fuçish në Gjirin e Meksikës.
Në një raport përfundimtar që ra dje në duart e medias, komisioni thotë se askush në kompanitë e përfshira nuk i pati parasysh rreziqet që kompanitë po merrnin përsipër me vendimet e tyre. Komisioni arriti në përfundimin se shkaqet kryesore të rrjedhjes kanë të bëjnë me probleme thelbësore.
Rick Slemaker që boton revistën Energy thotë se kompanitë kanë arsye të përmirësojnë masat e sigurisë:
"BP dhe industria e naftës do të bënin çdo gjë për të parandaluar aksidentet sepse kjo do t’u kushtonte shumë".
Sipas tij, rrjedha e naftës në Gjirin e Meksikës mund të çojë në përmirësimin e sigurisë për punonjësit.
"Humbjet e jetës janë tragjedia më e madhe por në anën tjetër e ardhmja e këtyre punonjësve tani është shumë më e mirë,"- thotë Slemaker.
Komisioni do t’ia dërgojë raportin përfundimtar presidentit Obama javën që vjen.