Lidhje

Ngërçi politik në Uashington ndikon në statusin financiar të SHBA


Ngërçi politik në Uashington ndikon në statusin financiar të SHBA
Ngërçi politik në Uashington ndikon në statusin financiar të SHBA

Gjatë vitit të kaluar në Kongresin amerikan u vu re një ngërç politik në lidhje me shumë çështje. Ndër momentet në të cilat përçarja e Uashingtonit ishte më e dukshme ishin debatet e dy palëve mbi mënyrat e përmirësimit të situatës financiare në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që deficiti federal kap vlerën një trilion dollarë ndërsa borxhi kombëtar është 15 trilionë dollarë.

Në një kohë sfidash të mëdha ekonomike, shumë amerikanë janë tepër të shqetësuar prej bllokimit politik të Uashingtonit.

Ajo që ndihmon ngërçin është qeveria e ndarë. Republikanët përbëjnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët në Senat. Pasoja më e rëndë e ngërçit politik është ndoshta gjendja fiskale dhe statusi financiar i Shteteve të Bashkuara në arenën botërore. Vitin e kaluar, në një kohë kur vendi rrezikoi të falimentonte prej borxhit, Kongresi u përfshi në një betejë politike të ashpër për muaj me rradhë mbi pakësimin e deficitit.

Republikanët kërkuan shkurtime të mëdha të shpenzimeve.

“T’i japësh qeverisë më tepër para është si t’i japësh një personi me varësi nga kokaina më tepër kokainë.”

Demokratët akuzuan republikanët se po sulmonin të varfërit dhe po mbronin të pasurit.

“Familjet më të pasura amerikane nuk po paguajnë asnjë qindarkë, ndërkohë që ne jemi gati të pakësojmë shkollimin për fëmijët më të varfër në Amerikë.”

Presidenti Barak Obama, një demokrat, kërkoi një ulje prej 4 trilionë dollarësh të deficitit, në 10 vjet. Si përfundim, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi ishin në gjendje të binin dakord vetëm për gjysmën e asaj shifre. Debati rrezikoi të shkaktonte një falimentim prej borxhit. Agjencitë e vlerësimit të kreditit e ndëshkuan sjelljen e Uashingtonit. Agjencia Standard & Poor’s bëri atë që dikur konsiderohej si diçka e pamundur: ajo uli klasifikimin e kreditit të SHBA.

“Kriza politike në Uashington na bën të arrijmë në përfundimin se vendimmarrësit nuk janë në gjendje të sigurojnë qëndrueshmëri për financat amerikane.”

Të gjithë akuzojnë të njëjtin shkaktar: ngërçin politik në Uashington.

“Mënyra ekstreme e të bërit politikë, pra pa pranuar asnjë kompromis, është një nga arsyet pse Kongresi e ka kaq të vështirë të kryejë punët që i takon.”

“Kërcënimi më i madh për ekonominë tonë nuk është paqëndrueshmëria e Europës apo politikat monetare të Kinës apo diçka e ngjashme, është kjo krizë e njëanshmërisë dhe mungesa e kurajos politike që unë mendoj se po karakterizojnë Uashingtonin.”

Anëtarët e Kongresit flasin shpesh për problemet financiare të Shteteve të Bashkuara, por për të ndërmarrë veprime konkrete duhen tejkaluar interesat e ngushta partiake, diçka kjo që Uashingtoni duket ta ketë shumë të vështirë.

XS
SM
MD
LG