Lidhje

Notari amerikan akuzohet se gënjeu policinë braziliane


Autoritetet braziliane ngritën akuza të enjten ndaj notarit amerikan Ryan Lochte, për kallëzim të rremë në stacionin e policisë se ai gjoja ishte grabitur. Deponimi në polici u bë gjatë Olimpikeve Verore që përfunduan të dielën në Rio de Zhaneiro.

Më 15 gusht, Lochte tha se ai dhe tre notarë të tjerë, Jack Conger, Gunnar Bentz dhe Jimmy Feigen ishin grabitur nga persona të armatosur, ndërsa taksia me të cilën udhëtonin ishte ndaluar nga burra të armatosur të veshur me uniforma policie. Policia në Rio e hodhi poshtë këtë variant ndërsa akuzoi notarin Lochte dhe të tjerët për mashtrim.

Video nga kamerat e sigurisë tregon notarët që konfrontohen me rojet e armatosura të sigurisë për, siç thuhet, akte vandalizmi në një pikë karburanti ku kishte ndaluar taksia e tyre. Menaxheri i pikës së karburantit i akuzon notarët për vandalizëm.

Përmes një deklarate të enjten, policia në Rio rekomandon ngritjen e akuzave kundër 32-vjeçarit Lochte, pasi kishte bërë kallëzim të rremë në polici. Dënimi për këtë akt shkon deri në 18 muaj burg. Policia kërkon të marrë në pyetje notarin fitues të 12 medaljeve, i cili u largua nga Brazili një ditë pas incidentit.

“Nëse thirret zyrtarisht dhe ai nuk paraqitet në seancë, gjyqi do të vazhdojë pa praninë e tij deri sa të merret vendimi përfundimtar”, thuhet në deklaratën e policisë së Rios.

Zëdhënësja e sportistit Lochte i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të enjten se notari nuk kishte komente. Avokati i tij, Jeffrey Ostrow, i tha gazetës “USA Today” se notari ende nuk kishte kontaktuar nga zyrtarët në Rio.

Lochte, i cili humbi të katër sponsorët të hënën, gjeti një sponsor të ri të enjten, “Pine Bros” që prodhon karamele për trajtimin e grykës.

Pas incidentit në pikën e karburantit në Rio, Lochte u kthye në Shtetet e Bashkuara. Tre ditë më pas, ndërsa Conger dhe Bentz po largoheshin nga Brazili, policia në Rio i zbriti ata nga avioni që shkonte për në Shtetet e Bashkuara dhe i mori ata në pyetje lidhur me pretendimet për grabitje. Më pas ata u lejuan të largoheshin nga Brazili. Feigen, i cili pagoi afro 11 mijë dollarë për një organizatë bamirësie, u lejua të largohej gjithashtu.

Lochte e ka pranuar teprimin me deponimin se ai dhe tre notarët e tjerë ishin viktima të një grabitjeje të armatosur në një pikë karburanti në Rio de Zhaneiro. Ai këmbënguli se nuk kishte gënjyer por megjithatë kërkoi falje. “Më vjen keq”, tha ai. “Brazili nuk e meriton këtë”. Pika e karburantit ndodhet pranë Parkut Olimpik, ku mbulimi i ngjarjeve sportive u shpërnda me njoftimet për plaçkitje, përfshi incidente ku përfshiheshin sportistë të tjerë dhe dy ministra të huaj.

Deponimet e notarit Lochte për grabitje e vunë në siklet qytetin Rio ku ishin dislokuar 85 mijë policë dhe ushtarë gjatë lojërave. Lajmet për incidentin në pikën e karburantit po ashtu dominuan mbulimin mediatik të Lojërave Olimpike.

Shefi i Komitetit Olimpik amerikan, Scott Blackmun, tha të dielën se Lochte dhe tre notarët e tjerë do të përballen me masa disiplinore. Ai nuk dha detaje, por shprehu zhgënjim lidhur me sjelljet e tyre.

XS
SM
MD
LG