Lidhje

Ushtria nigeriane e di vendndodhjen e vajzave të rrëmbyera


Një zyrtar i lartë ushtarak në Nigeri thotë se ushtria e di se ku po mbahen më shumë se 200 nxënëset e rrëmbyera nga militantët islamikë, por ai thotë se përdorimi i forcës për shpëtimin e tyre do të ishte i vështirë.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, Alex Badeh dje u tha gazetarëve në Abuja se një operacion ushtarak mund të jetë i rrezikshëm për vajzat. Ai tha, "ne nuk mund të vrasim vajzat tona në emër të përpjekjeve për lirimin e tyre".

Zoti Badeh tha se, "lajmi i mirë për prindërit e vajzave është se ne e dimë vendndodhjen e tyre, por nuk mund ta themi".

Ai foli ndërkohë që demonstruesit po marshonin drejt selisë së ministrisë së mbrojtjes.
200 vajzat u rrëmbyen në mes të prillit, ndërsa ishin duke bërë provimet në një shkollë të mesme në fshatin e largët verior të Çibokut.

Militantët e grupit islamik Boko Haram morën përgjegjësinë për rrëmbimin e vajzave të reja dhe duan t’i shkëmbejnë ato me anëtarët e grupit të tyre të burgosur nga qeveria nigeriane.

Presidenti nigerian Goodluck Jonathan dhe qeveria e tij janë ndeshur me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit për dështimin e tyre në lirimin e vajzave të zhdukura.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po i japin ndihmë Nigerisë në përpjekjet për gjetjen dhe lirimin e vajzave të rrëmbyera.
XS
SM
MD
LG