Lidhje

Paralajmërimet për rrëmbimin e vajzave nigeriane


Grupi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut Amnesty International tha se forcat nigeriane të sigurisë kishin marrë paralajmërim, para se të ndodhte bastisja e një shkolle vajzash me konvikt, ku militantët rrëmbyen më shumë se 300 nxënëse. Një prind i dy vajzave të rrëmbyera tregon për atë që mund të ketë ndodhur pasi kishin mbërritur paralajmërimet në shkollë.

Amnesty International thotë se forcat e sigurisë nigeriane nuk reaguan ndaj paralajmërimeve që nisën t’i vinin më shumë se katër orë para se grupi Boko Haram të sulmonte shkollën në Chibok, mbrëmjen e datës 14 prill. Babai i zemëruar i dy vajzave të rrëmbyera thotë se jo të gjithë i injoruan paralajmërimet.

"Disa nxënëseve u punojnë prindërit në shkollë dhe atyre nuk u ndodhi asgjë. Më thanë se ata ishin njoftuar më parë dhe ata i dërguan vajzat e tyre në shtëpi. Ndërsa ne që nuk jemi pjesë e personelit nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Nuk u rrëmbyen të gjitha nxënëset," thotë Enoch Mark.

Zoti Mark shpreson që reagimi ndërkombëtar të mund të korrigjojë dështimin e autoriteteve nigeriane për të arritur një shpëtim të shpejtë të vajzave.
Presidenti nigerian Goodluck Jonathan, nën presion për të kthyer vajzat në shtëpitë e tyre, nuk ka dhënë ndonjë arsye për vonesën e reagimit. Por një zëdhënës i presidencës tha se ndjekja e kryengritësve në një rajon të gjerë paraqet sfida strategjike.

"Nuk kemi qenë në gjendje t’i gjejmë ende jo sepse nuk kemi kapacitetet, por sepse terreni është i vështirë dhe i gjerë. Gjithashtu na duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse një grup kryengritësish mban peng dyqind fëmijë, nuk është rasti kur mund të shkosh e të bombardosh. Nëse do të ishte vetëm një çështje luftimi kundër kryengritësve nuk do ta kishim problem."

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë të mundur për të liruar vajzat. Të paktën 11 oficerë amerikanë të personelit ushtarak kanë mbërritur në Nigeri për të ndihmuar në gjetjen e 276 vajzave që vazhdojnë të mbeten të zhdukura.

Britania, Kina, Franca dhe Kanadaja kanë premtuar gjithashtu të ndihmojnë me kërkimet. Udhëheqësi i grupit Boko Haram ka thënë se kanë ndërmend t’i "shesin" vajzat. Boko Haram fajësohet për mijëra të vdekur që kur grupi filloi një kryengritje kundër qeverisë nigeriane në vitin 2009, duke kërkuar vendosjen e ligjit të rreptë islamik në Nigerinë veriore me shumicë myslimane.
XS
SM
MD
LG