Lidhje

Departamenti i Shtetit për komentet e Nikoliçit


Zëdhënësi Marc Toner tha se deklarata e presidentit të Serbisë për masakrën e Srebrenicës ishte për të ardhur keq.

Presidenti i ri i Serbisë Tomislav Nikolic po ndeshet me kritika të shumta nga Perëndimi dhe nga rajoni, pasi deklaroi se masakra në vitin 1995 të myslimanëve në qytetin lindor të Srebrenicës në Bosnje-Hercegovinë nuk ishte genocid. Shtetet e Bashkuara thonë se deklarata e zotit Nikoliç pak pas inaugurimti të tij të enjten e kaluar, ishte për të ardhur keq, ndërsa një udhëheqës serbo-kroat i cilësoi komentet “të dëmshme” dhe të “papranueshme”.

Zoti Nikoliç tha në një intervistë televizive se masakrimi i mijëra burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbo-boshnjake në Srebrenicë nuk ishte genocid, por një krim i rëndë, autorët e të cilit duhen nxjerrë para drejtësisë. Kandidati nacionalist serb mundi kandidatin për president pro-Perëndimit Boris Tadiç në zgjedhjet e përsëritura të Serbisë më 20 maj.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Toner tha dje se “genocidi” nuk nuk është një përcaktim subjektiv i masakrës së Srebrenicës, por një “akt kriminal i përcaktuar” nga vendimet e Gjykatës së OKB-së të Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Zoti Toner tha se Presidenti Nikoliç “i ka mundësitë për të vendosur një ton konstruktiv” në mbështetje të bashkëpunimit rajonal, pas konflikteve ballkanike të viteve ’90. Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se deklaratat “pa bazë” të zotit Nikoliç lidhur me Srebrenicën dhe krime të tjera lufte “janë jo produktive në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe ripajtimit”.

Në një tjetër intervistë që ka ngjalluar debate, zoti Nikoliç tha se qyteti kufitar i Kroacisë, Vukovar, i bombarduar rëndë nga forcat serbe në fillim të viteve ’90, ishte në fakt një “rajon serb, ku nuk nuk duhet të ishin kthyer refugjattët kroatë.

Një anëtar i shquar i pakicës serbe të Kroacisë, Milorad Pupovac, i kritikoi komentet e presidentit serb në lidhje me Vukovarin dhe Srebrenicën. Zoti Pupovac, i cili kryeson Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit të Kroacisë, tha dje se Zagrebi është gati të rifillojë bashkëpunimin me Serbinë, por nuk do të tolerojë mosrespektimin e ndjenjave të viktimave të luftës dhe vlerat që Zagrebi dëshiron t’i përhapë në mbarë rajonin.
XS
SM
MD
LG