Lidhje

Presidenti Bujar Nishani në Kongresin amerikan


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndodhet këto ditë në Uashington për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve dhe për takime të tjera. Dje, Presidenti Nishani ishte në selinë e Kongresit ku u takua me disa anëtarë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Bujar Nishani u takua me njërin nga themeluesit e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, Eliot Engel. Ai i tha kongresmenit amerikan se e falenderon në emër të vendit tij dhe të popullit shqiptar për miqësinë që ai ka treguar.
Presidenti Nishani në Kongresin amerikan
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Grupi i Çështjeve Shqiptare është njëri prej disa organizimeve të tilla që funksionojnë në Kongresin amerikan dhe ka si qëllim të nxisë institucionet demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, me besimin se një Ballkan i qëndrueshëm është në interes të të gjithëve. Grupi interesohet gjithashtu për përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në një ceremoni që u mbajt dje pasdite në selinë e Kongresit, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel i uroi mirëseardhjen Presidentit Nishani.

“Shqipëria ka qendruar përkrah Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe në çështje të tjera. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mezi pres ditën kur ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Puna që të gjithë ne kemi bërë së bashku ka ndihmuar për të forcuar lidhjet mes dy vendeve tona,” tha zoti Engel.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Alabama, Robert Adelholt, është bashkëkryetar i Grupit dhe e ka vizituar disa herë Shqipërinë.

“Është sigurisht një vend i bukur dhe këtu në Shtetet e Bashkuara ju keni shumë miq. Ne jemi të nderuar, bashkë me kongresmenin Eliot Engel, të punojmë për çështje që lidhen me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar. Ne dëshirojmë të vazhdojmë ta luajmë këtë rol,” tha zoti Adelholt.

Presidenti Nishani tha se Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, ka si objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai tha se vendi i tij pret, me të drejtë dhe bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në muajin qershor.

“Të vetëdijshëm se integrimi evropian është një proces që kërkon kohën e tij, kemi motivimin qytetar, vullnetin politik, dhe aftësitë institucionale për t`i shkuar deri në fund. Shqiptarët, kudo në rajon, mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian,” tha Presidenti Nishani.

President ii Shqipërisë tha se arritjet do të ishin të pamundura pa përkrahjen, bashkëpunimin dhe ndihmën bujare të partnerëve dhe miqve zemërgjerë e të durueshëm të Shqipërisë.

“Grupi i Çështjeve Shqiptare është njëri prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi”, tha Presidenti Nishani.

Presidenti i Shqipërisë dekoroi Grupin e Çështjeve Shqiptare me Medaljen e Flamurit Kombëtar. Kongresmeni Robert Adelholt u nderua me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Po dje, zoti Nishani u takua me senatorin Chris Murphy, Kryetar i Nёnkomisionit tё Marrёdhёnieve me Jashtё pёr Çёshtjet Evropiane nё Senat, me senatorin e Oklahomёs, Jim Inhofe dhe me kongresmenin e Kalifornisё, Dana Rohrabacher.

Nesër, Presidenti i Shqipërisë do të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, një ceremoni tradicionale që organizohet çdo vit në kryeqytetin amerikan.

Presidenti Nishani do të jetë të premten në Zërin e Amerikës për një intervistë drejtpërdrejt në programin Ditari.
XS
SM
MD
LG