Lidhje

Niveli i lartë varfërisë shton problemet e sitemit të shëndetësisë


Niveli i lartë varfërisë shton problemet e sitemit të shëndetësisë
Niveli i lartë varfërisë shton problemet e sitemit të shëndetësisë

Të dhënat e publikuara të martën nga Zyra Amerikane e Regjistrimit tregojnë se 46 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara jetojnë në varfëri. Të dhënat e vitit 2010 gjithashtu tregojnë se pothuajse 50 milionë njerëz, në këtë vend, nuk kanë sigurime shëndetësore. Suzanne Presto e Zërit të Amerikës njofton nga Uashingtoni.

Pothuajse një e gjashta e popullsisë amerikane jeton në varfëri. Garret Adams, një mjek që punon në jug-lindje të Shteteve të Bashkuara, thotë se vështirësitë financiare po u mohojnë njerëzve mundësinë të marrin kurat për të cilat ata kanë nevojë. Të martën, ndërkohë që po fliste përpara ligjvënësve federalë, doktorit Garret Adams iu mbajt zëri nga emocioni. Për minuta me rradhë ai foli për njerëz që kishte njohur nga afër, duke thënë se ekziston një cikël i cili mund të bëjë që varfëria të jetë një dënim me vdekje dhe që një sëmundje të jetë dënim që të dërgon në varfëri.

“Klei Morgan, një mekanik automjetesh në kontenë Henry të shtetit Kentaki, ishte pronar i biznesit të tij. Ai u sëmur me melanoma, që është një lloj kanceri i lëkurës. Ai filloi kurën, filloi të përmirësohej dhe u mendua se u shërua plotësisht – por tani ai ishte i falimentuar nga ana financiare. Kanceri u rikthye. I dëshpëruar prej situatës dhe duke mos patur dëshirë të shtonte borxhin e familjes të krijuar prej kurave mjekësore, ai shkoi në oborrin pas shtëpisë dhe vrau veten.”

Në vitin 2010, rreth 50 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara nuk kishin sigurime shëndetësore, një shifër kjo paksa më e lartë se ajo e vitit të mëparshëm. Shumica e këtyre njerëzve janë nën moshën 65 vjeçe, moshë në të cilën përfitohet sigurimi shëndetësor i ofruar nga qeveria.

Në Shtetet e Bashkuara pjesa më e madhe e personave që e kanë sigurimin shëndetësor, e përfitojnë atë përmes punëdhënësve së tyre. Robert Greenstein është ekonomist dhe president i Qendrës mbi Buxhetin dhe Përparësitë Politike me bazë në Uashington.

“Numri i njerëzve që kanë sigurim shëndetësor u pakësua në vitin 2010 për shkak të uljes së numrit të sigurimeve të ofruara nga punëdhënësit.”

Niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara është mbi 9 përqind, ashtu si vitin e mëparshëm, dhe jo të gjithë punëdhënësit janë të detyruar të pajisin punonjësit e tyre me sigurimin shëndetësor.

Elise Gould është drejtoreshë e studimeve mbi politikat shëndetësore në Institutin e Politikave Ekonomike në Uashington. Ajo u tha gazetarëve se të rinjtë nga mosha 18 deri në 24 vjeç kanë më pak mundësi se grupmoshat e tjera për t’u pajisur me sigurime shëndetësore nga punedhënësit e tyre. Zonja Gould tha se politikat e qeverisë kanë ndihmuar në shtimin e mundësive të qytetarëve për të pasur sigurimin shëndetësor.

“Reforma e sistemit të shëndetësisë luajti një rol kyç në ndalimin e rënies së rasteve në të cilat të rinjtë pajisen me sigurim shëndetësor nga punëdhënësit. Ligji mbi Mbrojtjen e Pacientit dhe mbi Sigurimet jo të Kushtueshme, i njohur si “reforma e shëndetësisë”, parashikon edhe regulla që u lejojnë të rinjve deri në moshën 26 vjeçare të mund të përfitojnë prej sigurimeve shëndetësore të ofruara nga punëdhënësit e prindërve të tyre.”

Zyrtarët thonë se një të tretat e njerëzve pa sigurime shëndetësore jetojnë në varfëri. Sipas të dhënave të vitit 2010, niveli zyrtar i varfërisë ishte 15.1 përqind, duke rezultuar kështu i rritur prej vitit 2009 kur ishte 14.3 përqind.

Në Shtetet e Bashkuara, një familje prej katër vetash konsiderohet të jetojë në varfëri atëherë kur të ardhurat e saj janë nën 22 mijë dollarë.

Mjeku Tim Hulsey u tha ligjvënësve se varfëria ka kuptim të ndryshëm në vende të ndryshme. Mjeku Hulsey, kirurg për operacione plastike, u ka shërbyer fëmijëve me difekte të të rënda të lindura të buzëve në vendet e Amerikës qëndrore. Në këto vende, tha ai, ka parë shtëpi prej kartoni, burime me ujë të papastër dhe mungesë shërbimesh shëndetësore, që siç tha ai, vërttë mund të jenë vdekjeprurëse.

Ndërsa në Shtetet e Bashkaura, thotë ai, qytetarët kanë mundësi të jetojnë një mënyrë të shëndetshme dhe ata kanë në dispozicion shërbime të ndryshme shëndetësore falas, si për shembull ato të ofruara nga klinikat pa pagesë, organizatat bamirëse dhe nga doktorët që punojnë vullnetarisht, ashtu si ai vetë.

“Me fjalë të tjera, përveç rasteve kur nuk kërkohet ndihmë, nuk ka arsye të thuhet se varfëria është një dënim me vdekje në këtë vend.”

Ekonomisti Greenstein u tha gazetarëve se ashtu si amerikanët po përballen me problemet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, ashtu ligjvënësit po përballen me çështjet e lidhura me buxhetin.

“Edhe para se të kishim shifrat dramatike të tanishme, Shtetet e Bashkuara e kishin nivelin e varfërisë dhe të pabarazisë më të lartë se shumica e vendeve të industrializuara perëndimore. Është e vërtetë që ne kemi nevojë për ulje të deficitit, por nuk ka nevojë që këto probleme të përkeqësohen më tej.”

Edhe pse numri i njerëzve që jetojnë në varfëri dhe ai i atyre pa sigurime shëndetësore janë të ngjashëm, personat e varfër nuk janë të vetmit që nuk kanë sigurime shëndetësore. Një e pesta e 50 milionë amerikanëve të pasiguruar i kanë të ardhurat vjetore mbi 75 mijë dollarë.

XS
SM
MD
LG