Një projekt ambicioz ka si qëllim të sjellë turistë nga e gjithë bota në fshatrat malore të jugut të Shqipërisë. Nivica është vendi i duhur për turistët që duan të shijojnë jo vetëm bukuritë spektakolare natyrore, por dhe një stil unik të të jetuarit që mund ta shikosh vetëm në zonat më rurale dhe të izoluara të vendit.
Në disa zona malore të Shqipërisë, ku has vetëm dhi e grumbuj të vegjël shtëpish, duket sikur koha ka mbetur në vend numëro për dhjetvjeçarë me radhë.
Qumështi i deleve dërgohet në baxhot e fshatit me gomar, kurse pleqtë e fshatit ngjiten në mal për të mbledhur rigon të egër dhe barishte të tjera.
Bukuritë natyrore janë të pafundme. Rrëke uji të kristaltë rrjedhin nga kanionet e tejdukshme dhe ura prej guri të cilat datojnë që nga koha otomane, harkohen mbi lugina, të paprekura prej shekujsh. Kur dielli perëndon, barinjtë kalojnë me kopetë e tyre përmes fushave dhe i çojnë ato në vathë, ku dhentë janë gati për t’u mjelë.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit po përpiqet të lidhë fshatin malor të Nivicës me bregdetin më të afërt, që ndodhet menjëherë mbrapa malit. Ideja është që edhe fshtrat malorë të futen në sistemin e turizmit, njësoj si ato buzë detit.
“Po bëjmë një projekt pilot për të ndërlidhur komunitetet në fshatra me bregdetin, në mënyrë që edhe aty të ketë turizëm”, thotë kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, drejtuesi i këtij projekti.
Si gjithçka tjetër në Ballkan, edhe kjo zonë është e pasur me histori.
“Përveç natyrës, arsyea pse turistët vijnë këtu është historia. Këtu kanë kaluar ushtritë romake, ato të Normandisë e më pas, ushtritë otomane, të Luftës I dhe të II Botërore. Po ashtu, natyra është e paprekur. Këtu shikon njerëz që mjelin delet e dhitë si 4.000 vjet më parë”, thotë zoti Tare.
Ai shton se, ndonëse turizmi sjell shumë përfitime, ka dhe anë negative, si për shembull, shkatërrimi i kulturës vendase dhe mjedisit. Megjithatë, këmbëngul Tare, ata do bëjnë kujdes me projektin, që të mos bezdisin banorët vendas.
Zona s’është popullore. Shumë prej atyre që jetojnë në bregdet nuk kanë dëgjuar kurrë për Nivicën.
Qëndra e fshatit është pastruar nga mbeturinat e gurëgdhendësit po punojnë fort për të ngritur një shtëpi pritjeje për turistët.
Lorena Sinatrakaj nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit beson se vendasve po u pëlqen ideja për ta kthyer fshatin në pikë turistike.
“Këtu njerëzit merren me blegtori, kultivojnë fruta e perime. S’e kishin më parë idenë çfarë është turizmi, por duket sikur janë të gatshëm e të përgatitur për këtë”, thotë ajo.
Dallandyshe Merio, një vendase që la fshatin për t’u zhvendosur në qytetin e Vlorës, ky projekt ka ngjallur shpresat te komuniteti dhe ajo po mendon të kthehet në fshat.
“Fshati po gjallërohet sërish. Më përpara u larguan të gjithë, por njerëzit po kthehen e po ndërtojnë. Ka sërish jetë këtu”, thotë ajo.
Për momentin, vizitorët e paktë janë të rinjtë europianë që ngjisin shtigjet e vjetra shqiptare dhe ngrenë çadrat e kampingut në një fushë jashtë fshatit.
Në po këtë kohë vitin tjetër, gjendja mund të jetë ndryshe; me shpresë se do vijnë turistë nga gjithë bota dhe do gjejnë këtu kushtet e përshtatshme për turizëm.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit thotë se, gjithsesi, synimi nuk është turizmi masiv; të sjellin në Nivicë qindra turistë, të cilët mund t’i prishin qetësinë fshtatit e të rrezikojnë mënyrën lokale të të jetuarit.
Facebook Forum