Lidhje

Një familje shqiptare që i druhej hakmarrjes në Shqipëri, fiton azilin


Qeveria amerikane i dha strehim shqiptarit Edmond Demiraj dhe familjes së tij, në një rast që tërhoqi vëmendjen në Shtetet e Bashkuara pasi çështja u paraqit deri në Gjykatën e Lartë vitin e kaluar.

Zoti Demiraj kishte thënë se kishte frikë se do ta ekzekutonin nëse kthehej në Shqipëri.

Firma që kishte marrë përsipër mbrojtjen e kësaj çështjeje, Orrick, Herrington&Sutcliffe e bëri të ditur lajmin përmes një deklarate.

Zoti Demiraj kishte rënë dakord të dëshmonte kundër një kryetari bande shqiptar, Bill Bedini, i akuzuar për trafik njerëzor para një dekade, në këmbim të një premtimi nga prokurorët federalë që atij dhe familjes së tij t’i garantohej siguria dhe t’i jepej Karta e Gjelbër e qëndrimit të përhershëm. Kur Bedini la Shtetet e Bashkuara para gjyqit, autoritetet e deportuan zotin Demiraj në Shqipëri.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit dhe dokumentave të gjykatës të vitit 2011, atje Bedini e rrëmbeu Demirajn, e rrahu dhe e qëlloi me armë zjarri. Plumbi pothuajse preku veshkat. Zoti Demiraj u kthye në Shtetet e Bashkuara ku iu dha leje e përkohshme qëndrimi, por autoritetet dhanë urdhër që gruaja e tij Rudina dhe i biri Rediol, që ishin në Shtetet e Bashkuara që në vitin 2000 në mënyrë të paligjshme, të deportoheshin. Familja i druhej hakmarrjes së zotit Bedini dhe autoritetet, siç e kishte pranuar edhe një juriste në Departamentin e Drejtësisë.

Gjykata e apelit kishte rënë dakord që Rudina dhe Redioli rrezikoheshin, kështuqë të dy ata i paraqitën një apel Gjykatës së Lartë. Rasti i familjes Demiraj u mbështet nga organizata të të drejtave të njeriut, profesorë të së drejtës dhe reth 40 ish-zyrtarë të rendit, përfshirë Dick Thornburgh që ishte prokuror i përgjithshëm në administratat e Presidentëve Ronald Reagan dhe George Bush, i vjetri.

“Jemi shumë të lumtur për familjen Demiraj. Gjatë gjithë kësaj kohe ata donin të jetonin ëndrrën amerikane në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt”, shprehej në deklaratë Joshua Rosenkranz, një avokat i firmës që përfaqësoi familjen.

Ai tha se vlerësonte vendimin për “të ndrequr një gabim të madh”.

Gazeta New York Times citon zotin Demiraj që banon pranë Houston-it të Teksasit, të thoshte se “ka rilindur përsëri”, pas atij që ai e quajti “një tmerr të vërtetë”.

XS
SM
MD
LG