Lidhje

Një udhëtim përkujtimor në 100 vjetorin e mbytjes së anijes Titanik


Një anije turistike u largua dje nga porti Southampton i Anglisë për të përshkuar rrugën e oqeanikut Titanik të mbytur 100 vjet më parë.

Shumë nga udhëtarët e anijes Balmoral janë të afërt të atyre që humbën jetën kur Titaniku u përplas me një ajsberg gjatë natës dhe u zhyt në Atlantikun e Veriut në errësirën e mëngjesit të datës 15 prill, 1912.

Udhëtimi përkujtimor përfshin një ndalesë në vendin ku u fundos Titaniku. Udhëtarët dhe ekuipazhi do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore.

Operatorët e Balmoralit kanë marrë masa që interieri i anijes t’i ngjajë sa më shumë atij të Titanikut. Disa nga udhëtarët kanë veshur rroba të modës së vitit 1912 dhe një bandë muzikore luan pjesë nga ajo epokë e 100 viteve më parë.

Më shumë se 1500 veta gjetën vdekjen në ujrat e akullta të Atlantikut Verior nga mbytja e anijes që mbahej si e pambytshme.

Që nga ajo kohë, tragjedia e Titanikut është bërë subjekt librash, filmash dhe këngësh. Mbetjet e anijes së mbytur ende ndodhen në fund të oqeanit.

XS
SM
MD
LG