Lidhje

Një shtëpi të re për studentët e huaj në Nju Jork


Qyteti i Nju Jorkut mund t’i trembë ata që e vizitojnë për herë të parë dhe mund t’u shkaktojë shok kulturor të huajve. Por, në zemrën e një ndër programeve më prestigjioze arsimore të vendit, studentë nga mbi 100 vende kanë mundësinë që nën një çati të përbashkët të gjejnë veten e tyre si udhëheqës të ardhshëm botërorë.

Për profesionistët e rinj, jeta në një ndër qytetet më të mëdha të SHBA-së ka avantazhet e saj. Por, nëse nuk di nga t’ia fillosh, është mirë të jesh në një komunitet.

“Pa ‘Shtëpinë Ndërkombëtare’, Nju Jorku do të ishte një vend tepër i vetmuar për shumë njerëz”, thotë Adjibola Amzat, i ardhur nga Nigeria.

Zoti Amzat ndaloi ushtrimin e profesionit të gazetarit për të ndjekur studime pasuniversitare në Universitetin e Kolumbias. Por, pa godinën pranë, të quajtur ‘Shtëpia Ndërkombëtare’, Nju Jorku do të kishte qenë për të një eksperiencë krejt e ndryshme.

“Nju Jorku është një vend shumë i vetmuar. Ka shumë njerëz rrotull, nga një larmi kulturash dhe etnish, por njerëzit nuk përzihen”, thotë ai.

Në këto hapësira, shkëmbimet brenda trupës studentore janë mëse të inkurajuara.

“Banorët kanë dhoma qëllimisht të vogla, në mënyrë që të dalin nëpër hapësirat e përbashkëta dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Dhoma e ngrënies është dizenjuar qëllimisht e përbashkët, në mënyrë që të ushqehesh gjithnjë me të tjerë”, thotë Heather Mangrum, drejtore e komunikimit e “Shtëpisë Ndërkombëtare”.

Kjo përqasje vlen madje për të gjitha degët, duke mirëpritur studentë nga i gjithë spektri universitar i zonës së Nju Jorkut, të cilët mblidhen edhe në festa ndër-kulturore. Por, për shumë prej tyre janë bisedat ato që krijojnë lidhjet më të forta dhe mundësitë për rritje individuale.

“Mënyra se si zhvillohet debati politik për çështje të sistemit, ishte diçka që më hapi sytë, gjë që nuk e prisja kur mbërrita. Më tërhoqi në biseda me miq, duke analizuar edhe eksperiencat nga atdheu dhe duke më udhëhequr drejt një ndërgjegje të re afrikano-amerikane”, thotë Lobegang Mahlare, e ardhur nga Afrika e Jugut.

Ndërsa për të tjerë, si Akmyrat Tuyliyev nga Turkmenistani, zbulimi i diversitetit i ngjalli shkëndijën e dëshirës për të ndryshuar botën nëpërmjet filmit.

“Vij nga një vend ku nuk kemi raca të ndryshme. Nuk kisha parë kurrë një afrikano-amerikan përpara se të vija këtu. Prandaj kur shikon këtu që të mblidhen bashkë studentë nga Rusia, nga Kina, dhe vende të tjera, është vërtet frymëzuese”, thotë Akmyrat Tuyliyev, nga Turkmenistani.

Për mbi 700 banorët e “Shtëpisë Ndërkombëtare”, ekziston një tipar i përbashkët – dëshira për të ruajtur marrëdhëniet që kanë krijuar, ndërsa do të mbartin në atdheun e tyre cilësitë udhëheqëse që përfituan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG