Lidhje

Nju Jorku miraton ligjin për martesat mes personave të të njëjtit seks


Nju Jorku miraton ligjin për martesat mes personave të të njëjtit seks
Nju Jorku miraton ligjin për martesat mes personave të të njëjtit seks

Ligjvënësit në shtetin e Nju Jorkut miratuan ligjin për martesat mes personave të të njëjtit seks, duke i dhënë një fitore të madhe mbrojtësve të të drejtave të homoseksualëve në përpjekjet e tyre për barazi.

Pas një debati të gjatë, Senati i Nju Jorkut e miratoi ligjin me 33 vota pro dhe 29 kundër, ndërkohë që dy republikanë të pavendosur ndryshuan mendje dhe votuan në favor. Asambleja e shtetit e kontrolluar nga demokratët, e cila javën e kaluar miratoi një version tjetër të ligjit, pritet të miratojë tani versionin e ri dhe guvernatori Endru Kuomo pritet ta nënshkruajë atë.

Pas miratimit përfundimtar të ligjit, Nju Jorku bëhet shteti i gjashtë dhe më i madh amerikan ku personat e të njëjtit seks mund të martohen.

Nju Jorku mund të bëhet vend shumë tërheqës për martesa të tilla sepse banimi në qytet nuk është kusht për të marrë çertifikatën e martesës.

Miratimi i këtij ligji në shtetin e Nju Jorkut cilësohet si shumë i rëndësishëm nga aktivistët sepse ky është shteti më i madh amerikan dhe se qyteti i Nju Jorkut ka një status ndërkombëtar. Nju Jorku cilësohet gjithashtu si vendlindja e lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve me demonstratat e vitit 1969 në Greenwich Village të këtij qyteti.

Debati në Senatin e shtetit ditët e fundit u përqëndrua në dhënien e mbrojtjes ligjore për grupet fetare të cilat kundërshtojnë martesën e personave të të njëjtit seks dhe kanë frikë se mund të hidhen në gjyq për diskriminim nëse nuk lejojnë shfrytëzimin e objekteve të tyre për martesa të tilla. Ligjvënësit ranë dakord që t’u njohin organizatave fetare të drejtën për të mos lejuar përdorimin e objekteve të tyre për ceremoni të tilla.

XS
SM
MD
LG