Lidhje

Rritja e nivelit të detit në Nju Xhersi


Shkatërrimet e shkaktuara nga stuhia e fuqishme Sandy vitin e shkuar përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara ka bindur shumë skeptikë se ngrohja globale dhe rritja e niveleve të detit janë rreziqe konkrete. Shteti i Nju Xhersit po shpenzon miliona dollarë për të ndërtuar mure afër detit dhe duna rëre, për të mbrojtur plazhet më të frekuentuara, por në disa komunitete të varfra bregdetare, banorët po inkurajohen të lëvizin më larg bregut.

Zoti William Bowen është banuesi më i vjetër i komunitetit të quajtur Money Island në Nju Xhersi. Ai kujton kohën kur përballë shtëpisë së tij kishte një plazh të gjerë.
Tani disa punëtorë po e ndihmojnë të zëvendësojë pirgun e rërës që u tërhoq nga stuhia Sandy vitin e shkuar. Ai thotë se as dëmet nga stuhia dhe as deti që po afrohet çdo ditë nuk do ta detyrojnë atë të lërë shtëpinë e tij.

“Unë do të rri këtu. Më pëlqen ky vend. Këtu i kam rrënjët. Nuk është e lehtë, sepse jam 85 vjeç. Po ku të shkoj?”

Money Island që në shqip përkthehet Ishulli i Parave, në fakt nuk është ishull. Ai është një fshat i vogël me shtëpi modeste në jug të Nju Xhersit ku lumi Delaware bashkohet me oqeanin Atlantik.

Kryebashkiaku Robert Campbell thotë se që nga stuhia Sandy, ka një përpjekje të përbashkët nga agjencitë rregullatore për të detyruar banorët të lëvizin nga bregdeti. Shtëpitë që ndodhen afër zonave me rrezik përmbytjeje duhet të jenë ndërtuar të larta nga toka. Ai thotë se qarku po imponon standarde më të rrepta për ujërat e zeza, duke detyruar banorët të shpenzojnë mijëra dollarë për të përmirësuar sistemet.

“Nuk e di se çfarë plani kanë ata por po përdorin tërë pushtetin rregullator që kanë për të frikësuar banorët afër bregdetit dhe për t’i detyruar t’ua shesin pronat e tyre programeve të tolla si Blue Acres.”

Blue Acres është një program që blen shtëpitë në zonat me rrezik përmbytjeje. Zonja Renee Brecht e organizatës mjedisore Shoqata Amerikane Bregdetare, u është lutur shumë banorëve në Money Island të lëvizin. Ajo është kundër shpenzimeve të miliona dollarëve nga qeveria për të mbrojtur një numër të vogël shtëpish nga rritja e nivelit të detit.

“Mund të ndërtosh mure të mëdha por, ato jo vetëm që do t’u kushtojnë shumë taksapaguesve, por do të jenë një zgjidhje afat shkurtër. Kështu që, 20 ose 30 vite më vonë do të gjendemi po në të njëjtën pozitë.”

Zonja Brecht thotë se do të dëshironte ta shihte zonën bregdetare të shndërrohej në një rezervat natyror, si projekti restaurues i organizatës Nature Conservancy në South Cape May, një kep që nuk ndodhet larg nga aty.

“Duna faktikisht qëndroi dhe mbrojti qytezën nga uji që solli stuhia,” thotë Adriana Livingston e kësaj organizate.

Sipas saj, do të duhen 35 milionë dollarë për të vazhduar ruajtjen e Kepit gjatë 50 viteve të ardhshme. Kjo i bën shumë nga banorët në Money Island të pyesin veten nëse ia vlen të shpenzohen miliona dollarë për t’i shndërruar këto vende në rezervate natyrore dhe jo për të ndihmuar njerëzit që jetojnë atje.
XS
SM
MD
LG